Rexha: Dua titullin dhe ‘Këpucën e Artë’

07 korrik 2020 | 17:21

Titulli i kampionit në Superligë dhe “Këpuca e Artë” janë synimet e Kastriot Rexhës edhe në këtë edicion të garave.

Sulmuesi i Dritës, Kastriot Rexha, ka shprehur optimizëm se skuadra e tij mund të shpallet kampione në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Shtatlarti nga kryeqyteti ka thënë të hënën për “Epokën e re” se ndeshja e radhës që Drita e zhvillon ndaj Feronikelit është e rëndësishme dhe, ndoshta, edhe vendimtare në garën për titull. “Jemi duke kaluar nëpër një formë të mirë dhe ndeshja e radhës kundër Feronikelit është shumë e rëndësishme dhe vendimtare për vazhdimësinë e kampionatit, po ashtu edhe ruajtja e distancës ndaj rivalëve për titull. Besoj se do të vazhdojmë me lojëra të mira dhe rezultate pozitive edhe në këto ndeshje dhe në fund të shpallemi kampionë”, ka thënë Rexha.

Drita është në pozitën e parë në elitë dhe ka katër pikë më shumë se përcjellësja e parë, Prishtina. Sulmuesi me përvojë të madhe në futbollin e Kosovës realizoi një nga katër golat e fitores ndaj Llapit, kurse tash është në kuotën e 13 golave. Dy më shumë se Rexha i ka shënuar Blend Baftiu i Ballkanit, kurse një më shumë e ka Arb Manaj i Trepçës ’89. Rexha ka konfirmuar se synon ta rrëmbejë edhe në këtë edicion “Këpucën e Artë”. “Detyra e secilit sulmues është të shënojë sa më shumë gola, pasi e ndihmon skuadrën për të arritur tek objektivi. Edhe unë si gjithmonë angazhohem dhe do të përpiqem të shënoj sa më shumë gola, pse jo edhe sivjet ta rrëmbej ‘Këpucën e Artë’”, ka shtuar ai.

Sulmuesi i shumë skuadrave në Kosovë në pjesën e parë të kampionatit ka luajtur për skuadrën e Feronikelit, por në janar është larguar nga ky klub për shkak se nuk bënte pjesë në projektin e klubit nga Drenasi. Megjithatë, sulmuesi në fjalë ka vendosur që ta padisë ish-klubin në Federatën e Futbollit të Kosovës me arsyen se ende nuk i ka kryer të gjithë obligimet financiare. Pavarësisht insistimit të gazetës, Rexha nuk deshi të bëjë publike shumën e saktë që i detyrohet Feronikeli. “Besoj se brenda dy ditësh do ta dërgoj lëndën në FFK. Kjo nuk ishte dëshira ime, por jam mundur që të kontaktoj me presidentin e klubit, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur”, ka deklaruar Rexha.

/Veton ZYMBERI/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka nënshkruar kontratën…