Milani synon ta blindojë Rabiotin deri në vitin 2030, gati t’ia rrisë pagën
Milani ka nisur të mendojë për të ardhmen e Adrien Rabiotit, duke synuar vazhdimin e bashkëpunimit me mesfushorin francez deri në vitin 2030.
Sipas gazetës italiane “La Gazzetta dello Sport”, të dyja palët janë të interesuara që Rabiot të vazhdojë të jetë pjesë e projektit të klubit kuqezi. Kontrata aktuale e tij me Milanin është e vlefshme deri në vitin 2028, por drejtuesit synojnë ta zgjasin atë edhe për dy sezone të tjera.
Bisedimet pritet të zhvillohen së shpejti me agjenten e futbollistit, Veronique Rabiot, e cila është edhe nëna e tij.
Një nga çështjet kryesore në negociata pritet të jetë paga. Aktualisht, Rabiot përfiton rreth 3.5 milionë euro në vit, ndërsa Milani po shqyrton mundësinë që t’ia rrisë pagën në 5 milionë euro në sezon, pa përfshirë bonuset.
Kështu, klubi italian synon ta shpërblejë mesfushorin për kontributin e tij dhe, njëkohësisht, ta sigurojë vazhdimësinë e tij në skuadër për disa vite të tjera. Për momentin, bëhet fjalë për negociata që pritet të nisin në ditët në vijim.



