BE-ja planifikon të vendosë sanksione të reja ndaj Turqisë

11 dhjetor 2020 | 13:31

Liderët e Bashkimit Evropian kanë vendosur të premten që të krijojnë një listë me sanksione, në kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Turqisë, që ka kryer eksplorime për gaz në ujërat e Greqisë dhe Qipros.

“Turqia është angazhuar në veprime të njëanshme dhe provokime dhe ka përshkallëzuar retorikën e saj ndaj BE-së, shteteve anëtare të BE-së dhe liderëve evropianë. Veprimet e njëanshme dhe provokimet në Mesdheun Lindor ende po vazhdojnë, përfshirë edhe në zonën ekonomike të Qipros”, është thënë në deklaratën e publikuar pas debatit të liderëve të BE-së në samitin që po mbahet në Bruksel.

Një diplomat ka thënë për agjencinë “AFP” se sanksionet do të kenë në shënjestër individë dhe se blloku evropian do të ndërmarrë edhe masa të tjera, “nëse Turqia vazhdon me veprimet e saja”.

Ministria e Jashtme turke ka thënë se kjo listë e re e sanksioneve nga BE-ja është “e njëanshme” dhe “e paligjshme”.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka mirëpritur vendimin e BE-së mbi Turqinë, duke thënë se do të kishte zhgënjim në Greqi dhe Qipro, nëse liderët evropianë nuk do të pajtoheshin për një embargo të armëve apo për sanksionim të sektorëve të ekonomisë turke.
Ndërsa kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se shpreson se mesazhi i dërguar nga BE-ja “do të pranohet në mënyrën e duhur”.

Konkluzionet, që janë publikuar nga Këshilli Evropian, tha se lista do të përpilohet për sanksionet ndaj Turqisë.

Liderët e kanë mandatuar shefin për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell që të përgatisë një raport me më shumë masa ndaj Turqisë, i cili duhet të dorëzohet marsin e ardhshëm.

Para këtij samiti, presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan ka thënë se “Turqia nuk shqetësohet për sanksionet që do të ndërmerren nga BE-ja”.

“BE-ja asnjëherë nuk na ka trajtuar me ndershmëri. BE-ja nuk ka mbajtur premtimin që na ka dhënë, por ne gjithmonë kemi qenë të durueshëm dhe ende jemi”, ka deklaruar Erdogani.

Greqia, me mbështetjen e Francës, ka qenë ajo që iniciuar vendosjen e sanksioneve më të ashpra ndaj Ankarasë, pasi Turqia vazhdimisht kryen eksplorime për gaz, në ujërat e kontestuar.

Përveç eksplorimeve të kryera në Mesdhe, Turqia po ashtu është akuzuar se ka shkelur embargon e armëve të Kombeve të Bashkuara për Libinë, shtet ku Ankaraja mbështetë qeverinë në Tripoli në luftën civile.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka pritur të…