BE-ja po tregohet e padrejtë me Kosovën

16 korrik 2020 | 11:19

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Time Kadrijaj, ka marrë iniciativë që t’u drejtohet kryetarëve të komisioneve të punëve të jashtme të parlamenteve të vendeve të BE-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe ShBA-së, për ta shprehur shqetësimin për pamundësinë e qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë pa viza. Ajo ka thënë se këtyre komisioneve edhe një herë ua ka rikujtuar që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Kadrijaj ka deklaruar se komisionet parlamentare si motra duhet të bëjnë presion te vendet anëtare të BE-së për liberalizim të vizave.

“Këtë iniciativë e kemi arsyetuar me atë se Kosova ka përmbushur kriteret e nevojshme për liberalizim të vizave, Komisioni Evropian ka dhënë rekomandim pozitiv për liberalizim të vizave dhe kjo është votuar në Parlamentin Evropian. Dihet që tani se çdo shtet do ta ketë fjalën e vet në këtë proces dhe ne si komision kemi kërkuar nga kryetarët e komisioneve për punë të jashtme të parlamenteve përkatëse që të ndikojnë në vendet e tyre në mënyrë që të kemi liberalizim të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kadrijaj.

Ajo ka bërë me dije se BE-ja po tregohet e padrejtë me Kosovën. Sipas saj, këto veprime po e ulin besueshmërinë e BE-së te qytetarët e Kosovës.

“Serbia që sa vite i ka hapur negociatat për anëtarësim, ndërsa Kosova ende nuk e ka marrë liberalizimin e vizave, atëherë këtu nuk kemi drejtësi evropiane. Këto veprime të BE-së në të njëjtën kohë po ndikojnë në uljen e besueshmërisë së popullit dhe institucioneve të Kosovës në institucionet e BE-së”, është shprehur ajo.

Kadrijaj ka deklaruar se edhe institucionet e tjera të Kosovës duhet të lobojnë te vendet anëtare të BE-së në mënyrë që të rritet presioni për vendimmarrje për këtë proces. “Ne si institucion e kemi të drejtën e lobimit përmes diplomacisë parlamentare te vendet anëtare të BE-së për çështjen e liberalizimit të vizave. Këtë gjë duhet ta bëjnë edhe institucionet e tjera sepse politika e jashtme e Kosovës duhet ta ketë një zë në mënyrë që të përmbyllet edhe kjo çështje. Sa më shumë që të bëjmë trysni dhe sa më shumë që të bëjmë kërkesa te vendet anëtare të BE-së, ato vende do të sensibilizohen për këtë çështje dhe besoj se do të marrin përkrahje”, është shprehur deputetja e AAK-së.

“Epoka e re”: Zonja Kadrijaj, si kryetare e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, u keni shkruar kryetarëve të komisioneve të punëve të jashtme të parlamenteve të vendeve të BE-së, të Mbretërisë së Bashkuar dhe të ShBA-së në lidhje me liberalizmin e vizave për Kosovën. Pse e ndërmorët këtë iniciativë?
Kadrijaj: Ne si komision e kemi edhe obligim ligjor që, duke përdorur diplomacinë parlamentare, të lobojmë për çështje të ndryshme. Kjo iniciativë është përkrahur edhe nga anëtarët e tjerë të komisionit, që t’u shkruajmë komisioneve si motra, pra komisioneve të punëve të jashtme të parlamenteve të vendeve të BE-së, të Mbretërisë së Bashkuar dhe të ShBA-së, nga të cilët kemi kërkuar që të na ofrojnë përkrahje në këtë proces dhe të ndikojnë në vendet e tyre në mënyrë që edhe Kosova të ketë liberalizim të vizave. Këtë iniciativë e kemi arsyetuar me atë se Kosova ka përmbushur kriteret e nevojshme për liberalizim të vizave, Komisioni Evropian ka dhënë rekomandim pozitiv për liberalizim të vizave dhe është votuar në Parlamentin Evropian. Dihet se tani çdo shtet do të ketë fjalën e vet në këtë proces dhe ne si komision kemi kërkuar nga kryetarët e komisioneve për punë të jashtme të parlamenteve përkatëse, që të ndikojnë në vendet e tyre në mënyrë që të kemi liberalizim të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Epoka e re”: Sa besoni se kjo kërkesë e juaja do të gjejë mbështetje?
Kadrijaj: Ne si deputetë dhe si komision duhet ta bëjmë punën tonë, duke iu adresuar në mënyrë të vazhdueshme vendeve të BE-së, se Kosovës po i bëhet padrejtësi në këtë proces. Sepse Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet që i janë kërkuar për procesin e liberalizimit të vizave. Tani është radha e BE-së që të marrë vendim për këtë çështje. Kosova është vendi më proevropian në rajon dhe është e pakuptimtë që ne ende të mbesim si vendi më i izoluar në Evropë. Dihet se Kosova është vendi që ka përmbushur kriteret për këtë proces më mirë se vende tjetra. Sa i përket kriterit të luftimit të krimit dhe korrupsionit, ai është kriter që duhet të punohet në vazhdimësi për plotësimin e tij. Pra, në këtë mënyrë kemi dashur t’i sensibilizojmë këto komisione në këtë drejtim.

“Epoka e re”: Sa jeni optimiste se gjatë presidencës gjermane të BE-së çështja e liberalizimit të vizave do të futet në agjendë?
Kadrijaj: Gjermania është një vend i BE-së që e ka përkrahur Kosovën në të gjitha etapat e zhvillimit të saj, prej para luftës, gjatë luftës dhe tani gjatë procesi të ndërtimit të shtetit. Duke llogaritur se Gjermania është një vend mik i Kosovës, jam optimiste se gjatë presidencës së saj do të bëhet diçka në këtë drejtim.

“Epoka e re”: Institucionet e tjera të Kosovës, çfarë duhet të bëjnë gjatë kësaj kohe për t’i sensibilizuar vende anëtare të BE-së për këtë proces?
Kadrijaj: Secili institucion i ka detyrat dhe obligimet e veta karshi vendit dhe këtij procesi. Në këtë mënyrë secili institucion duhet t’i kryejë obligimet e veta që i ka të përcaktuara me ligj. Në këtë drejtim ne si institucion e kemi të drejtën e lobimit përmes diplomacisë parlamentare te vendet anëtare të BE-së për çështjen e liberalizimit të vizave. Këtë gjë duhet ta bëjnë edhe institucionet e tjera sepse politika e jashtme e Kosovës duhet ta ketë një zë në mënyrë që të përmbyllet edhe kjo çështje. Sa më shumë që të bëjmë trysni dhe sa më shumë që të bëjmë kërkesa te vendet anëtare të BE-së, ato vende do të sensibilizohen për këtë çështje dhe besoj se do të marrin përkrahje.

“Epoka e re”: Kohët e fundit edhe i dërguari special i ShBA-së për dialogun Kosovës – Serbi, z. Grenell, ka kërkuar nga BE-ja që t’i liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës. A mund të ketë ndonjë ndikim në procesin e liberalizimit të vizave ky presion?
Kadrijaj: ShBA-ja është partnerja strategjike e Kosovës. Përfshirja e ShBA-së në këtë proces është shumë pozitive. Ne e mirëpresim këtë përfushje të ShBA-së, por dihet se qëllimi i Ballkanit Perëndimor është që të integrohet në BE. Ne do të kërkojmë që integrimi i këtyre vende në BE të bëhet njëkohësisht dhe jo që dikush të integrohet më herët e dikush më vonë. Sepse Kosova çdoherë u është përgjigjur pozitivisht kërkesave të BE-së. E përmenda më herët se i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe prapë Kosova po stagnon në të gjitha këto procese. Pra, Serbia që sa vite i ka hapur negociatat për anëtarësim, ndërsa Kosova ende nuk e ka marrë liberalizimin e vizave, atëherë këtu nuk kemi drejtësi evropiane. Këto veprime të BE-së në të njëjtën kohë po ndikojnë në uljen e besueshmërisë së popullit dhe institucioneve të Kosovës në institucionet e BE-së.

(Muhamet KOCI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në funksion të nxitjes së hulumtimeve mes ekonomistëve të rinj…