BE: Nuk ka vend për ta mohuar apo nënvlerësuar Masakrën e Reçakut

10 dhjetor 2021 | 13:32

Zëdhënësi i përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka bërë me dije se Masakra e Reçakut nuk mund të mohohet.

Ai ka deklaruar se kjo masakër është dokumentuar mirë. “Ajo që ndodhi në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar të vitit 1999 janë të dokumentuara mirë”, ka deklaruar Stano për Radion Evropa e Lirë.

Këto komente ai i bëri pasi ministri i Brendshëm i Serbisë, Alleksandar Vullin e quajti “gënjeshtër të madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm” vrasjen e civilëve shqiptarë në Reçak.

Stano ka vlerësuar se BE-ja u bën thirrje autoriteteve në të gjithë rajonin që të punojnë për një vlerësim të sinqertë dhe të vërtetë të së kaluarës.

Sipas tij, rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të marrëdhënieve.

“E ritheksojmë se nuk ka vend për të mohuar apo nënvlerësuar atë që ndodhi në Reçak”, ka vlerësuar Stano.

Sot, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Alleksandar Vullin, ka vizituar ekipin e një projekti filmik që po punon në realizimin e një serie të dokumentareve, që sipas autorëve ka për qëllim të dokumentojë të vërtetën e kësaj ngjarjeje që mohohet nga zyrtarët në Serbi.

“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë e as të zgjuar për t’i treguar të gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte”, citohet të ketë thënë Vulin gjatë vizitës.

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak në Komunën e Shtimes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Punëtorët e sektorit privat në Kosovë punojnë në kushte shumë…