Begaj: Do të vazhdojmë t’i mbrojmë të drejtat e njeriut për një botë me liri, drejtësi dhe barazi
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, me rastin e 75-vjetorit të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut është shprehur se kjo deklaratë është ideali i përbashkët, për të cilin luftojnë ta arrijnë të gjithë popujt dhe kombet.
Begaj është shprehur se do të vazhdojnë të mbrojnë të drejtat e njeriut për një botë me liri, drejtësi dhe barazi.
“Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, dokumenti themelor që ka shënuar historinë e të drejtave të njeriut, përkon sot me 75-vjetorin e krijimit. Deklarata e të Drejtave të Njeriut është ideali i përbashkët, për të cilin luftojnë ta arrijnë të gjithë popujt dhe kombet, që në mënyrë të sigurt çdo individ të gëzojë i barabartë dhe pa diskriminim liritë dhe të drejtat themelore njerëzore”.
“Është një përkim i bukur që në 75-vjetorin e saj, Shqipëria u zgjodh për herë të dytë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në OKB. Institucionet tona do të vijojnë të mbrojnë dhe promovojnë të Drejtat e Njeriut për një botë me liri, drejtësi e barazi për të gjithë”, ka thënë Begaj.