Bëhen ndryshimet në statutin e PD-së, Lulzim Basha bëhet edhe kryetar i Grupit Parlamentar
Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, do të jetë edhe kreu i Grupit Parlamentar, kur kjo parti të jetë në opozitë.
Është ky një nga vendimet që pritet të merret këtë të shtunë të 2 gushtit në Kuvendin Kombëtar të PD-së.
Po ashtu gjatë mbledhjes pritet të miratohet statuti i ri i PD-së.
Në nenin 48, parashikohet dhe mundësia e delegimit të këtij posti, por gjithmonë me pëlqimin e kryetarit të Partisë Demokratike.
Kjo pritet t’i hapë rrugë ndryshimit të kupolës drejtuese, përfshirë Kreun e Grupit Parlamentar, që sipas statutit, zgjidhet në mesin e nënkryetarëve të partisë.
Nga informacionet paraprake ndryshimet priten të prezantohen pas mbajtjes së fjalës nga vetë Basha.
Konkretisht do të jetë Komisioni i Ndryshimeve Statutore që do sqarojë ndryshimet ndërsa në vijim do të votohet me ngritje kartoni për këto ndryshime nga delegatët.
Jo vetëm kaq.
Gjatë ditës së sotme do të votohet Këshilli i ri Kombëtar – ndonëse të ftuar nuk do të jenë 7 mijë e 646 delegatët si përpara mosndarjes së PD-së.
Mungesa do të ketë edhe nga ana e deputetëve, ku deri më tani janë konfirmuar vetëm 10 emra: Lulzim Basha, Oriola Pampuri, Andia Ulliri, Merita Bakiu, Kreshnik Collaku, Flutura Açka, Enkelejd Alibeaj, Eralda Bano, Arbi Agalliu dhe Selaudin Jakupllari.
Teksa Basha po përpiqet të galvanizoj grupimin e tij, me ardhjen e shtatorit ka pasur “ftillime” brenda kampit opozitar.
Sali Berisha dhe Gazment Bardhi po negociojnë që të bashkohen grupimet që ata përfaqësojnë në një grup parlamentar.
Lajmi u bë i ditur nga vetë ish-kryeministri Berisha në konferencën e përjavshme për mediat.
Ai pohoi se bashkëpunon me çdokënd përveç kryedemorkatit Basha dhe Enkelejd Alibeaj.
“Me zotin Bardhi dhe çdo deputet tjetër, përveç Alibashës dhe Lul Pengut, kjo parti është dhe do jetë e hapur për diskutim. Dhe nuk ka kush pse të ma dijë për nder se është partia e demokratëve”.
Ndërsa, nga ana tjetër, Bardhi pa e prekur si pikë bashkimin me Berishën, gjatë ditës sotme tha se kërkon unifikim të të gjithë deputetëve të dalë në 202-in nga listat e Partisë Demokratike.
Por pas dy shtatorit pritet që PD të bëjë një vlerësim të situatës dhe një formatim të të gjithë strukturave të brendshme të partisë.
Në debatet që parashikohen gjatë punimeve, pritet po ashtu të ketë diskutime staturore, të cilat lidhen me funksionimet dhe që do të marrin parasysh eksperiencat pozitive dhe negative të PD-së në këto vite opozite, për të riformatuar strukturat.
Ndërsa, e paqartë, mbetet pritshmëria e grupimit Basha, i cili përfaqëson edhe partinë zyrtare juridikisht, për numrin e të pranishmëve në Kuvend.



