Belgjika tepër e fortë për Rusinë (Video)

12 qershor 2021 | 22:56

Belgjika e ka nisur me këmbën e mbarë, pasi mposhti me rezultatin 3-0 Rusinë në Shën Petersburg. Romelo Lukaku mori për dore skuadrën e tij, me dy gola të shënuar, në fillim dhe në fund.

Ekipi i Roberto Martinez është mes ekipeve pretendente për trofeun dhe tregoi forcën me Rusinë, në një ndeshje të dominuar dhe të konkretizuar me tre gola të shënuar.

Romelo Lukaku realizoi që në minutën e 10-të dhe u ndihmua nga rusët, që e nxorën nga pozicioni jashtë loje duke i dhuruar asistin e golit që zhbllokoi sfidën.

Më pas ishte më e lehtë për Belgjikën, që shënoi edhe golin e dytë. Meunier me një goditje brenda zonës e çoi topin në rrjetë dhe deri në fundin e pjesës së parë nuk pati më gol.

Rusia mundohej ta hapte takimin, por me Belgjikën nuk ishte e lehtë. Topin e mbanin ata, por rastet e pastra të shënimit munguan. Llogaritë i mbylli Lukaku, i cili dy minuta nga fundi shënoi edhe golin e tretë, që e vendos Belgjikën në vendin e parë në grup, me pikë të barabarta me Finlandën që mundi Danimarkën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arabia Saudite ka vendosur t`i lejojë 60.000 besimtarëve të vaksinuar…