Beqa: Thaçi, njeriu i duhur për ta drejtuar dialogun

08 korrik 2018 | 13:12

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi është njeriu i duhur për ta udhëhequr fazën finale të dialogut me Serbinë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se arritja e konsensusit për këtë proces është i nevojshëm megjithatë, sipas Beqës, bisedimet do të vazhdojnë me apo pa përkrahjen e opozitës. Ai ka bërë me dije se Kosova tashmë i ka përmbushur obligimet dhe është në pritje të rekomandimit për heqjen e vizave. Sipas Beqës, në variantin më të keq qytetarët do të mund të udhëtojnë pa viza në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. Pavarësisht prej sfidave, ai është shprehur i kënaqur me funksionimin e koalicionit qeverisës. “Qeverinë mund ta rrëzojë vetëm mazhoranca nëse e sheh se nuk po përmbushen objektivat e parapara. Sa i përket opozitës, Qeveria mund ta çojë mandatin deri në fund”, ka theksuar ai.

“Epoka e re”: Z. Beqa, çfarë vlerësimi keni për funksionimin e koalicionit qeverisës, meqenëse në opinion po duket se ka një zbehje të PDK-së në Qeveri?
Beqa: Pavarësisht prej sfidave, koalicioni qeverisës është funksional. Është duke funksionuar mirë dhe në momente të caktuara po merr vendime të mëdha. Ministrat e PDK-së janë aktivë. Edhe grupi parlamentar është aktiv. Natyrisht se çdoherë ka hapësirë për angazhim dhe punë më të madhe. PDK-ja është shumë aktive dhe ka rolin kryesor si partia më e madhe dhe si bartëse e koalicionit. PDK-ja ka rolin kryesor në koalicion pavarësisht se ka nominuar Haradinajn për kryeministër, i cili e ka pasur dhe vazhdon ta ketë mbështetjen deri në fund të mandatit.

“Epoka e re”: Ky funksionim i koalicionit nuk ka reflektuar edhe në punën e Kuvendit i cili ka pasur vështirësi në përmbushjen e agjendës.
Beqa: Kemi pasur pengesa, sidomos kur ka qenë në pyetje demarkacioni me Malin e Zi. Ka pasur raste kur koalicioni ka arritur t’i sigurojë 2/3 e votave, por në raste të caktuara ka munguar shumica e thjeshtë. Ka pasur raste kur opozita ka bojkotuar procesin e votimit, mirëpo ka pasur raste kur edhe pozita nuk ka qenë aktive. Megjithatë, konsideroj se Kuvendi është duke e kryer detyrën e vet dhe deri në fund të vitit do ta realizojë planin legjislativ për vitin 2018 dhe pritshmëritë.

“Epoka e re”: Mosfunksionimi i rregullt i Kuvendit ka ndikuar në ngecjen e agjendës evropiane?
Beqa: Jo, nuk ka ngecje. Të gjitha ligjet që kanë pasur të bëjnë me agjendën evropiane i kemi kaluar me kohë. Në procedurë tashmë janë ligjet për reformat në drejtësi. Komisioni për Legjislacion, në të cilin jam anëtar dhe zëvendëskryetar i parë, është i angazhuar maksimalisht për ta realizuar këtë agjendë. Sa i përket agjendës evropiane i kemi kryer me kohë obligimet tona. Institucionet janë duke e kryer punën dhe i kanë përmbushur të gjitha kërkesat, pavarësisht kushteve të padrejta. Procesi duhet të ecë më shpejt dhe BE-ja duhet ta përkrahë Kosovën në procese integruese si dhe ta rekomandojë liberalizimin e vizave. Megjithatë, Kosovës i mbetet edhe më tutje punë për të bërë. Reforma në drejtësi do të ndikojë në luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Epoka e re”: Ka shanse të shtyhet për një datë të pacaktuar dhënia e rekomandimit për viza?
Beqa: I kemi përmbushur të gjitha kushtet që të paktën ta fitojmë liberalizimin. Kjo besoj se do të jetë çështje ditësh. Presim që deri në fund të vitit qytetarët të lëvizin pa viza. Në variantin më të keq, kjo mund të vonohet proceduralisht apo teknikisht deri në pjesën e parë të vitit të ardhshëm, respektivisht në muajin janar. Ne do t’i kryejmë detyrat tona. Nëse është e nevojshme edhe në kohë të pushimit do të vazhdojmë me angazhime institucionale.

“Epoka e re”: Duke pasur parasysh dallimin e vogël në mes të numrave të pozitës dhe opozitës në Kuvend, sa ka rrezik që kjo Qeveri mos të mund ta çojë deri në fund mandatin?
Beqa: Qeveria i ka numrat dhe duhet të vazhdojë t’i kryejë detyrat në harmoni me kërkesat e qytetarëve duke realizuar një performancë të mirë në të gjithë sektorët. Deri më tani për çdo vendim të rëndësishëm koalicioni i ka pasur votat falë angazhimit të deputetëve të pozitës dhe të opozitës. Por, nëse opozita i ka numrat për ta rrëzuar Qeverinë, le ta rrëzojë. Është një opozitë e fortë në numra, por e dobët në alternativë.

“Epoka e re”: Kjo opozitë nuk mund ta rrëzojë Qeverinë?
Beqa: Qeverinë mund ta rrëzojë vetëm mazhoranca nëse e sheh se nuk po përmbushen objektivat e parapara. Sa i përket kësaj opozite, Qeveria mund ta çojë deri në fund mandatin. Aktualisht gjërat janë duke shkuar mirë dhe jemi të interesuar që kjo Qeveri ta çojë mandatin deri në fund. As institucionet dhe as qytetarët nuk e kanë komoditetin për të shkuar çdo gjashtë muaj apo çdo vit në zgjedhje.

“Epoka e re”: Një çështje me të cilën po ballafaqohet vendi është edhe faza finale e dialogut me Serbinë. Koalicioni a mund të sigurojë konsensusin e kërkuar për këtë proces?
Beqa: Bisedimet po vazhdojnë dhe presidenti Thaçi është duke e përfaqësuar Kosovën në këtë proces dhe kjo e drejtë i takon me Kushtetutë. Mirëpo duhet të arrihet konsensusi në mes të spektrit politik për dialog me Serbinë. Kosovën duhet ta përfaqësojë presidenti dhe është mirë që edhe opozita ta përkrahë atë në këtë proces. Marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të miratohen në Kuvend. Përfundimi sa më i shpejtë i bisedimeve me Serbinë është në interes të dy popujve.

“Epoka e re”: Por opozita nuk po shpreh gatishmëri për t’u bërë pjesë e dialogut. Do të vazhdojë ky proces edhe pa mbështetjen opozitare?
Beqa: Nuk ka kohë për të na pritur faktori ndërkombëtar derisa të pajtohet i gjithë populli se kush duhet ta përfaqësojë vendin në bisedime. Kemi ndërtuar institucionet të cilat kanë mandat kushtetues dhe duhet ta përfaqësojnë Kosovën sipas Kushtetutës. Prandaj presidenti Thaçi është njeriu më i duhur për ta përfaqësuar Kosovën në dialogun me Serbinë. Konsensusi është i nevojshëm, por nuk kemi kohë për të humbur. Tri vjet i kemi humbur me demarkacion, po t’i humbim edhe tri vjet me bisedime pasojat do t’i vuajnë qytetarët. Bisedimet duhet të vazhdojnë pavarësisht asaj nëse i përkrah apo jo opozita. Opozita deri tani ka pasur vetëm deklarime politike, por jo alternativë. Thaçi është president dhe bisedimet po zhvillohen në nivel të presidentësh dhe kjo nuk mund të ndryshohet. E përkrahim idenë e konsensusit, por jo të ndërpriten bisedimet. Bisedimet duhet të vazhdojnë deri në arritjen e njohjes reciproke në mes të dy vendeve. Natyrisht se në fund të këtij procesi Kosova do ta ketë një listë me kërkesa për Serbinë e cila ka kryer krime dhe gjenocid në Kosovë.

“Epoka e re”: Para arritjes së marrëveshjes përfundimtare po flitet se do të ketë kompromise të reja në dëm të Kosovës. Kuvendi do të lejojë një gjë të tillë?
Beqa: Kompromisi kryesor për Kosovën është bërë në bisedimet e Vjenës, pra është Plani i Ahtisarit. Prandaj nuk do të ketë asgjë jashtë Kushtetutës e cila buron nga ky plan.

“Epoka e re”: Mosarritja e konsensusit mund të ketë efekt në prishjen e koalicionit qeverisës?
Beqa: Koalicioni qeverisës është duke e përkrahur presidentin Thaçi për ta përfaqësuar vendin në dialog me Serbinë. Ndonëse opozita nuk po e përkrah dhe nuk i ka numrat për ta rrëzuar.

“Epoka e re”: Jo i gjithë koalicioni po e mbështet Thaçin. Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt vazhdon ta kundërshtojë drejtimin e dialogut nga presidenti, madje kjo parti bojkotoi raportimin e tij në Qeveri.
Beqa: Nuk po flas për partitë e tjera që janë në koalicion, por po flas në tërësi për koalicionin dhe për kryeministrin. Mazhoranca e përkrah Thaçin në këtë proces dhe jemi optimistë se nuk do të jetë ndonjë sfidë për Qeverinë përfaqësimi i presidentit në dialog, përkundrazi do ta forcojë edhe rolin e saj.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-portieri i Gjermanisë, Oliver Kahn, ka thënë se trajneri Joachim…