Beqiri: KE-ja po punon që t’i bindë qeveritë për t’i dhënë dritën jeshile liberalizimit

25 qershor 2018 | 21:35

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, është duke qëndruar në Strasburg ku po mbahet sesioni veror i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Beqiri me këtë rast është takuar me presidentin e Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, i cili, sipas Beqirit, ka thënë se janë duke punuar për t’i bindur vendet për heqjen e vizave për Kosovën.

“Pasdite në takimin e EPP-së ishte Presidenti i Komisionit Evropian, z.Jean Claude Juncker. Ai afër 2 orë foli për shumë tema dhe u përgjigj në shumë pyetje të deputetëve. Në pyetjen time se ku jemi me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, Presidenti Juncker tha se ne si Komision Evropian e kemi kryer punën tonë, tani po mundohemi t’i bindim disa qeveri të disa shteteve të japin sinjalin e gjelbër si për Kosovën por edhe për hapjen e negociatave me Shqipërinë”, ka shkruar Beqiri në profilin e vet në “Facebook”.

Sipas tij, Juncker përmendi edhe luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit.

“Edhe me këtë rast u vërtetua se sa është e rëndësishme të jemi aty ku flitet për ne, si në këtë rast, në Grupin më të madh të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në EPP, ku ne si LDK jemi anëtar”, theksoi Beqiri.

Ismet Beqiri është takuar edhe me Presidentin e EPP-së, Joseph Daul, me të cilin thotë të kenë diskutuar shumë çështje që kanë të bëjnë me punën e Komisioneve, punën e grupit, zgjedhjet e ardhshme për Presidentin e EPP-së, që do të mbahen në tetor, për nevojën që EPP të ketë kandidatin e saj për Sekretar Gjeneral të Këshillit të Evropës etj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është hapur një fond ku kanë nisur të grumbullohen paratë…