Berisha ambasadores amerikane në Tiranë: S’do të shkelësh kurrë në zyrën time, s’jemi ne gratë dhe burrat e ‘barit’

21 nëntor 2021 | 21:05

Ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha i është përgjigjur ambasadores së SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim e cila në një dalje televizive është shprehur se nëse Berisha fiton nuk do t’i trokasë në derën e tij.

Berisha tha se dera e tij do të jetë e hapur për çdo ambasador të SHBA-së, por referuar Yuri Kim, tha se ajo nuk do të shkelë kurrë, pa i kërkuar më parë falje shqiptarëve për deklaratën e ‘barit’.

“Dy fjalë dua t’i them ambasadores. Në një dalje televizive u shpreh se po fitoi Berisha, duke shkelmuar kushtetutën e saj që fillon ‘We, the people’, nuk do t’i jap dorën apo nuk do trokasë në derë, dua t’i them: E nderuar zonjë dera e Berishës do jetë e hapur për ambasadorin apo ambasadoren e SHBA-së, me të vetmin kusht që në rast se ajo do quhet Yuri Kim në çdo funksion që do jetë kurrë nuk do shkelë në zyrën time për ‘barin’ që ju serviri. Nuk jemi ne gratë dhe burrat e ‘barit’. Ne jemi ata që kemi përmbysur diktatorin që u ofronte shqiptarëve ‘bar’. Në zyrën time nuk do të shkelësh kurrë pa i kërkuar të falur demokratëve shqiptarë”, u shpreh Berisha.

Ndryshe, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka njoftuar në maj të këtij viti se ish-presidentit shqiptar, Sali Berisha, dhe familjes së tij të afërt, iu ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Blinken ka thënë se aktet e korruptuara të Berishës, minojnë demokracinë në Shqipërinë dhe se ai i sheh familjen Berisha si të papërshtatshëm për hyrjen në SHBA.

Ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha ka reaguar ndaj vendosjes së tij si person i padëshiruar në SHBA duke thënë se gjatë 30 vjetëve në politikë, kurrë nuk është akuzuar për korrupsion. Ai ka paralajmëruar edhe mbajtjen e Kuvendit të PD-së më 11 dhjetor, datë kjo që nuk është pranuar nga kreu demokrat Lulzim Basha që ka caktuar 18 dhjetorin. /tch

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një foto që po shpërndahet nëpër faqe të ndryshme nëpër…