Berisha: Projektligjet parashohin kompetenca të reja për FSK-në

14 shtator 2018 | 15:44

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Rrustem Berisha, e ka quajtur lajm të mirë miratimin e pakos së projektligjeve nga ana e Qeverisë, që rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin e FSK-së.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se me miratimin e këtyre projektligjeve fillon procesi i transformimit të FSK-së deri në krijimin e rrethanave të përshtatshme për ndryshimet kushtetuese.

Berisha ka bërë me dije se përmes këtyre projektligjeve parashihen kompetenca dhe detyra të reja për FSK-në, por jo edhe ndryshimi i emrit. Ai ka treguar se do të ketë rritje të numrit të pjesëtarëve të FSK-së nga 2 500 në 5 000.

Ministri Berisha ka theksuar se si institucione kanë ndërmarrë një fushatë informuese me të gjitha shtetet partnere, ato të Quintit dhe shtetet e NATO-s për lëvizjet në këtë proces

“Epoka e re”: Z. Berisha, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së enjtes ka aprovuar pakon e projektligjeve që rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Mund të na tregoni më konkretisht se çfarë përmban Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Projektligji për shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes?
Berisha: Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka proceduar për miratim në Qeverinë e Kosovës tri projektligje bazike të FSK-së. Të enjten është aprovuar Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Projektligji për shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes. Përmes këtyre tre projektligjeve parashihet që Forca e Sigurisë së Kosovës të zhvillohet si një forcë me kompetenca, me organizim dhe funksionim të ri si dhe kalimi i Ministrisë së FSK-së në Ministri të Mbrojtjes. Këto projektligje nuk përmbajnë ndonjë ndryshim drastik.

“Epoka e re”: Këto projektligje nuk parashohin ndryshimin e emrit të FSK-së, por vetëm ndryshimin e kompetencave, detyrave dhe funksionimit?
Berisha: Emri edhe më tutje do të jetë Forca e Sigurisë së Kosovës, por i shtohen kompetencat dhe detyrat. Me miratimin e këtyre projektligjeve realisht ne po fillojmë procesin e transformimit. Pra, ideja është të fillojmë procesin e transformimit deri kur të krijohen rrethanat për ndryshime kushtetuese që ndryshohet edhe emri. Tashmë projektligjet janë miratuar në Qeveri dhe është vendim i Qeverisë se kur do t’i procedojë në Kuvend për miratim.

“Epoka e re”: Me anë të këtyre projektligjeve parashihet rritja e numrit të pjesëtarëve të FSK-së?
Berisha: Po. Me këtë parashihet edhe rritja e numrit të pjesëtarëve të FSK-së meqë kanë të bëjnë me organizimin ashtu siç parashihet sipas rekomandimeve të rishikimit të sektorit strategjik të sigurisë.

“Epoka e re”: Sa do të jetë numri i pjesëtarëve të FSK-së?
Berisha: Rritja e numrit të pjesëtarëve të FSK-së është paraparë nga 2 500 në 5 000 dhe pjesëtarët rezervë nga 800 në 3 000.

“Epoka e re”: Parashihet edhe pajisja me armatim më të rëndë apo armatim shtesë?
Berisha: Kjo nuk është e paraparë me ligje, sepse ligji nuk parasheh armatimin, por ato parashihen me planin e transformimit të FSK-së dhe ka shumë faktorë të tjerë të cilët ndikojnë se cilat pajisje do t’i ketë FSK-ja. Është e drejtë e jona kushtetuese që ne t’i ndërtojmë kapacitetet mbrojtëse. Me këto ligje ne dëshirojmë t’i plotësojmë kapacitetet mbrojtëse dhe me të gjitha ato pajisje që nevojiten për detyra dhe kompetenca të reja do të pajiset Forca e Sigurisë së Kosovës.

“Epoka e re”: Nga kjo që po thoni i bie se me miratimin e këtyre tri projektligjeve nga Kuvendi i Kosovës, FSK-ja do të shndërrohet në ushtri, por që vetëm emrin nuk do ta ketë të tillë?
Berisha: Realisht Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë kompetenca dhe detyra të reja që përcaktohen me ligj, edhe MFSK-ja do të kalojë në Ministri të Mbrojtjes. Kurse, emri do të ndryshohet sapo të krijohen rrethanat më të përshtatshme për ndryshime kushtetuese.

“Epoka e re”: Prisni që deri në fund të vitit Kuvendi t’i miratojë këto tri projektligje?
Berisha: Nuk e dimë saktë se kur do të ndodhë një gjë e tillë, meqë në Kuvend ka edhe projektligje të tjera që janë në pritje të miratimit. Ne kemi kryer punën tonë dhe tani është në dorën e Qeverisë t’i procedojë më tutje këto projektligje.

“Epoka e re”: Deri më tani kemi pasur kundërshtimin e Listës Serbe për transformimin e FSK-së. Keni biseduar me ata për t’i mbështetur këto projektligje, pra keni mbështetjen edhe të këtij partneri qeverisës?
Berisha: Paraprakisht, para se këto projektligje të shkojnë në Kuvend, do të kemi takime me të gjitha grupet parlamentare, edhe me grupin parlamentar të Listës Serbe për t’i njoftuar të gjithë me këto tri projektligje.

“Epoka e re”: Nuk prisni pengesa në këtë drejtim meqë për miratimin e projektligjeve kërkohet një shumicë e thjeshtë?
Berisha: Nuk ishte dashur të ndodhë një gjë e tillë, por kjo pyetje më mirë do të ishte që t’u drejtohet atyre. Ne në kuadër të planit tonë të punës kemi paraparë edhe takimet me grupet parlamentare dhe realisht të marrim sugjerime shtesë nëse ka nevojë dhe ato të bëhen gjatë shqyrtimit të parë dhe të dytë të këtyre projektligjeve.

“Epoka e re”: Iniciativa për miratimin e këtyre tri projektligjeve është bërë në koordinim me partnerët strategjikë siç janë NATO-ja, BE-ja dhe ShBA-ja, sepse në vazhdimësi partnerët ndërkombëtarë kanë kundërshtuar procesin e transformimit të FSK-së nëpërmjet ligjit.
Berisha: Kemi ndërmarrë një fushatë informuese me të gjitha shtetet partnere, shtetet e Quintit dhe shtetet e NATO-s, të cilat i kemi njoftuar për gatishmërinë tonë, për progresin, për të arriturat dhe i kemi njoftuar edhe për mundësinë ose rrugën se si ne parashohim të lëvizim. Kështu që, gjithçka që është bërë deri më tani është bërë në bashkëpunim dhe kemi qenë transparentë edhe në raport me partnerët tanë ndërkombëtarë.

“Epoka e re”: Pra, Kosova ka siguruar mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për të lëvizur më tutje në procesin e transformimit të FSK-së përmes ligjit?
Berisha: Është problem të themi se e kemi mbështetjen sepse e dimë që në mesin e shteteve të NATO-s janë katër shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por ne punën tonë e kemi kryer dhe nuk i kemi sjellë në situatë që ata të befasohen për një hap të tillë, sepse i kemi njoftuar me rrugën përpara. Kjo nuk duhet të merret si shqetësuese sepse është një hap që ne po fillojmë planin e transformimit që është paraparë të jetë dhjetë vjet dhe në ndërkohë, kur të krijohen kushtet dhe rrethanat më të përshtatshme, do të ndërmarrim veprime që ta ndryshojmë edhe emrin përmes ndryshimeve kushtetuese. E kemi kryer punën dhe obligimin tonë. Tani mbetet që projektligjet të procedohen për Kuvend. Shpresojmë që votimi i këtyre projektligjeve nuk do të jetë ndonjë vështirësi. Është me rëndësi të kuptohet se asnjëra prej këtyre tri projektligjeve nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkundrazi janë në harmoni të plotë.

“Epoka e re”: Sa do të jetë sfidues ky proces për ju si ministër, por edhe për Kosovën?
Berisha: Ky është një lajm i mirë për të gjithë. Është obligim kushtetues yni që t’i ndërtojmë ose t’i ngrehim institucionet e sigurisë dhe ta avancojmë strukturën e sigurisë për kryerjen e kompetencave dhe detyrave që parashihen me Kushtetutë. Kjo nuk ka të bëjë me dëshirën ose me vullnetin, por është obligim kushtetues që të ndërmarrim masa të tilla. Ne nuk dëshirojmë të jemi vetëm konsumues të sigurisë, por të jemi edhe kontribuues aktivë të saj. Edhe me kapacitetet aktuale, por edhe me kapacitetet e tjera që do t’i ngrehim, do të jemi kontribuues të paqes dhe të sigurisë. FSK-ja do të jetë forcë shumetnike dhe profesionale në shërbim të gjithë qytetarëve dhe në interes të tyre dhe vendit, por edhe më gjerë në rajon.

“Epoka e re”: Po thoni se FSK-ja do të vazhdojë të jetë forcë shumetnike, por më herët ka pasur largime të pjesëtarëve të saj të komunitetit serb.
Berisha: Na vjen keq që disa pjesëtarë të FSK-së nga komuniteti serb kanë qenë të detyruar që, pa vullnetin e tyre, të marrin vendim për largimin nga FSK-ja. I kuptojmë se kanë pasur presione të ndryshme dhe është vendim kundër mirëqenies së tyre. I kemi shqyrtuar shumicën prej kërkesave të tyre, për disa edhe i kemi marrë vendimet, kurse disa të tjera janë në shqyrtim. Por, mund të them se është një interesim i jashtëzakonshëm i komunitetit serb që të bashkëngjitet në FSK dhe të plotësohen ato vende të punës.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, përmes…