Besiana & Të mirët e kombit me koncert homazh “25 Vjet – DRITË LIRIE”, kushtuar Komandant Lleshit

27 maj 2026 | 00:55

Në një atmosferë madhështore, emocionale dhe tejet dinjitoze, Pallati i Kulturës në Bujanoc ishte i stërmbushur me qytetarë, veteranë të luftës, familjarë dëshmorësh, përfaqësues institucionesh dhe mysafirë nga të gjitha trojet shqiptare, në Akademinë Përkujtimore – Koncert Homazh “25 Vjet – DRITË LIRIE”, kushtuar Ridvan Qazimit – Komandant Lleshit.

Manifestimi qendror u organizua nga Komuna e Bujanocit, OVL UÇPMB dhe Bashkësia Lokale Tërnoc, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 25-vjetorit të rënies së Komandant Lleshit.

Programi artistik dhe përkujtimor nisi pa paralajmërim me uverturën nga opera “Goca e Kaçanikut”, interpretuar nga balerinët Isa Gjocaj dhe Jeta Musolli nga Baleti Kombëtar i Kosovës, duke sjellë në skenë emocion dhe simbolikë kombëtare. Më pas, u interpretua live Himni Kombëtar nga tenori Shkodran Tolaj dhe Kori “Të Mirët e Kombit”.

Akademinë e prezantoi Besiana Mehmedi, e cila në fjalën hyrëse kujtoi figurën e Ridvan Qazimit si simbol të luftës, paqes dhe dinjitetit kombëtar, vepra sublime e të cilit mbetet e pavdekshme dhe udhërrëfyese për ndërtimin e së ardhmes.

Pas një minute heshtjeje në nderim të Komandant Lleshit dhe gjithë dëshmorëve të lirisë, të pranishmëve iu drejtua kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, i cili vlerësoi figurën e Komandant Lleshit dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike.

Një ndër momentet më emocionale ishte interpretimi i këngës “Besa Besë”, të cilën komandanti e kishte kënduar shpesh në front me ushtarët e tij. Më pas, Kori “Të Mirët e Kombit”, i shoqëruar në piano nga prof. Rudina Ciko, interpretoi këngën “Këngë për Komandant Lleshin”, të përgatitur enkas për këtë akademi.

Në vazhdim, kryetari i OVL UÇPMB, Bejtullah Bejtullahu, mbajti një fjalim përkujtimor për figurën e Komandant Lleshit dhe sakrificën e veteranëve të luftës.

Një frymë autentike folklorike solli në skenë doajeni i këngës popullore, Selajdin Miftari, i cili interpretoi me sharki, duke rikthyer atmosferën dhe shpirtin e këngës tradicionale shqiptare, që e kishte dashur vetë Komandant Lleshi si pjesë e shoqërisë kulturore “Jehona” në Tërnoc.

Më pas, kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, përshëndeti të pranishmit, duke vlerësuar rëndësinë e figurave kombëtare dhe përkujdesjes institucionale.

Me duartrokitje frenetike u prit aktori i Teatrit Nacional të Tetovës, Arsim Fazlia, i cili interpretoi një monolog artistik kushtuar Komandant Lleshit, realizuar posaçërisht për këtë 25-vjetor. Emocione të veçanta solli interpretimi i këngës “Legjendat këndoja me mall”, kushtuar sakrificës së familjes Jashari dhe gjithë luftëtarëve të lirisë, ndërsa vogëlushja Dua Qazimi preku publikun me paraqitjen e saj simbolike.

Një tjetër moment i fuqishëm artistik ishte interpretimi i këngës “Albulena” nga Shkodran Tolaj, këngë që lidhi figurën e Komandant Lleshit me historinë dhe qëndresën shqiptare ndër shekuj, posaçërisht me figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Publiku e priti me emocione të mëdha ikonën e muzikës shqiptare, Sinan Vllasaliu, i cili interpretoi dy këngë, përfshirë edhe një këngë premierë kushtuar Komandant Lleshit. Në skenë me të u ngjit edhe vogëlushja Jona Sejdiu, si simbol i trashëgimit të idealeve brez pas brezi.

Një nga momentet më prekëse ishte paraqitja e Levent Qazimit, djalit të Komandant Lleshit, i cili me modesti dhe emocion falënderoi të gjithë të pranishmit për respektin dhe kujtesën e ruajtur ndër vite për figurën e të atit.

Në vazhdim, Shkodran Tolaj interpretoi “Fjalët e qiriut”, një këngë me simbolikë të fortë kushtuar dritës së lirisë dhe sakrificës së Komandant Lleshit, ndërsa më pas, së bashku me Besiana Mehmedin, interpretuan duetin “Kosova, Kosova”.

Gjatë akademisë u dhurua edhe një portret i punuar enkas për këtë 25-vjetor nga artisti Zeni Ballazh, si simbol kujtimi dhe nderimi për familjen e Komandant Lleshit.

Në fund, në skenë u ftuan të gjithë artistët pjesëmarrës, duke falënderuar Komunën e Bujanocit, Pallatin e Kulturës, organizatorët, stafin teknik dhe drejtorin artistik Shkodran Tolaj për realizimin e kësaj akademie madhështore.

Akademia u mbyll me interpretimin e përbashkët të këngës “Zjarr t’pat zemra”, ku artistët dhe publiku krijuan një atmosferë të jashtëzakonshme emocionesh, krenarie dhe kujtese kombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar sot…