Betohet presidenti Biden

20 janar 2021 | 18:19

Presidenti i ri, i 46-ti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, sot është betuar.

“Betohem solemnisht se do ta përmbush me besnikëri detyrën time të presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe do ta ruaj dhe ta mbroj më së miri Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Me ndihmo, Zot!”, ka thënë Biden teksa është betuar para gjykatësit të Gjykatës Supreme, John Roberts.

Edhe zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, ka bërë betimin në pozitën e re.

Bideni ka pohuar se kjo është dita e Amerikës. “Kjo është dita e demokracisë. Një ditë e historisë dhe shpresës”, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, pasi bëri betimin në platformën e Kongresit Amerikan.

“Amerika është provuar dhe është ngritur ndaj sfidave. Sot ne festojmë jo fitoren e një kandidati, por të një kauze, një kauze të demokracisë. Ne mësuam përsëri se demokracia është e çmuar. Demokracia është e brishtë dhe, në këtë moment, miqtë e mi, demokracia ka mbizotëruar”, ka thënë Biden, duke u zotuar se do të jetë president i të gjithë amerikanëve.

Bideni u inaugurua dy javë pasi mbështetës të presidentit të deritashëm, Donald Trump, sulmuan ndërtesën e Kongresit Amerikan, në përpjekje për ta përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

Biden, 78 vjeç, është presidenti më i vjetër amerikan që merr detyrën.

Ai i ka fituar zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit 2020 kundrejt presidentit të deritanishëm, Donald Trump. Kongresi e ka miratuar fitoren e tij më 6 janar.

Inaugurimi është një ceremoni zyrtare që shënon fillimin e një presidence të re në Shtetet e Bashkuara dhe, sipas ligjit, zhvillohet më 20 janar në Uashington.

Ceremonia e inaugurimit sivjet është ndër më të pazakonshmet në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ajo u zhvillua  nën masa të pashembullta të sigurisë të cilat pasojnë dhunën e 6 janarit në ndërtesën e Kongresit.

Ish-presidenti Donald Trump nuk mori pjesë në ceremoni, por aty ishte ish-nënpresidenti Mike Pence.

Pjesëmarrja e publikut në inaugurim ishte, po ashtu, rreptësisht e kufizuar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Elife LUZHA   Kthehu në Itakën tënde (Vëlla Kadriut)  …