Biblioteka Kombëtare e Kosovës hap ekspozitë “shkel e shko”

08 mars 2023 | 14:21

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” sot, “për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së”, ka hapur ekspozitën “Kosova – më shumë se një rrëfim”. Edhe pse organizimet për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës kanë përfunduar në muajin shkurt, Bibliotekës Kombëtare të Kosovës s’i është bërë vonë të organizojë ekspozitë për 15-vjetorin e pavarësisë.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku, me rastin e hapjes së kësaj ekspozite, tha se “kjo ekspozitë, që është një strukturim i zhvendosur nga një ngjarje te tjetra përgjatë historisë më të vonë të Kosovës, mund të na ndihmojë të rikujtojmë momente të caktuara të këtij realiteti nëpër artikujt e gazetave të Kosovës, si dhe të librave, që janë brenda shenjëzimit dhe afirmimit historik, kulturor, politik e juridik të Kosovës dhe të të drejtës së saj për liri dhe pavarësi, duke pasuruar diskursin për të vërtetën për Kosovën”.

Por, një vizitor i kësaj ekspozite, Flurim Shala, për gazetën “Epoka e re” tha se kjo ekspozitë mund të shënojë një ngjarje historike, por nuk paraqet as histori lavdie për Epopenë e UÇK-së, as për  Pavarësinë e Kosovës.  “M’u duk se e kishin përgatitur shkel e shko. Shpejt dhe keq. Ishte një ekspozitë e pasistemuar. Kishte pak shkrime të medieve, pak ngjarje historike, pak ngjarje politike, pak ngjarje të festimit të pavarësisë. Një papërgjegjësi totale nga një institucion kombëtar. Shkrimet kryesore të shtypit që kanë raportuar për 25-vjetorin e UÇK-së nuk i pashë askund në ekspozitë. Ndoshta s’i ka biblioteka ato gazeta, ndoshta kanë harruar t’i përfshijnë në ekspozitë, ndoshta i kanë lënë pa përfshirë qëllimisht. Shpresoj se, kur të vij ndonjëherë tjetër në ndonjë ekspozitë të Bibliotekës Kombëtare, nuk do të zhgënjehem kaq shumë si sot”, tha zoti Shala për gazetë.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës deri më 14 mars.

Fotografitë: Biblioteka Kombëtare e Kosovës

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mirlind Daku është emri i sulmuesit që po përflitet shumë…