Biblioteka “Latif Berisha” pasurohet me tituj të rinj

25 janar 2018 | 13:38

Në bibliotekën e qytetit të Mitrovicës “Latif Berisha” është implementuar projekti “Libri, Miku Yt”, që ka ardhur si ide dhe projektim i disa të rinjve mitrovicas, të mbështetur nga Organizata Ndërkombëtare e Migracionit (IOM), në kuadër të shumë aktiviteteve të saj në  Mitrovicë.

Në evenimentin përmbyllës, kanë marrë pjesë përfaqësues nga IOM-i, komuna e Mitrovicës, zyrtarë të Drejtorisë për Kulturë Rini dhe Sport, zyrtarë të bibliotekës së qytetit “Latif Berisha”, anëtarë nga rrjeti i bizneseve dhe lexues të  rinj  mitrovicas.

Në fjalën e tij përshëndetëse, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Tafil Peci, ka falënderuar përfaqësuesit e organizatës IOM dhe të rinjtë të cilët janë angazhuar në këtë projekt, duke theksuar se Biblioteka e Qytetit përveç librave ka nevojë edhe për një objekt më të përshtatshëm dhe funksional për të gjithë lexuesit, ai përmendi angazhimin e tij dhe të komunës për kushte më të mira për bibliotekën e qytetit “Latif Berisha”.

“Projekti pasuron bibliotekën me tituj të rinj, duke përfshirë  kështu të gjithë sektorët. Kjo ide ka ardhur nga aktivitetet për dialog dhe trajnimet e ndryshme që IOM ka mbajtur në qytetin e Mitrovicës vitin që lamë pas, duke grumbulluar në tryeza dialoguese të rinj të këtij qyteti, të cilët kanë përpiluar ide të ndryshme se si të ndryshoj komuniteti në të cilin ata jetojnë, përballen dhe mëtojnë përmirësimin e tij, nëpërmjet angazhimit dhe aktivizimit gjithëshoqëror”, ka thënë ai.

Ndërsa anëtarët e grupit vullnetarë Ardita, Bardha, Bujari dhe Sara  e kanë cilësuar projektin si të dobishëm për komunitetin dhe kanë falënderuar mbështetësit në rrugëtimin e tyre drejt finalizimit me sukses të projektit “Libri Miku yt”.

Në anën tjetër, Ajlin Mehmedi dhe Besart Peci, punonjës dhe përgjegjës të aktiviteteve të IOM-it në Mitrovicë, kanë thënë se bashkëpunimi me ideatorët ka qenë i jashtëzakonshëm, jo vetëm për faktin e kontributit në përmirësimin e këtij institucioni, por edhe për vullnetin dhe angazhimin e palodhshëm të tyre, si në tryezat e dialogut dhe aktivitetet e tjera, ashtu edhe gjatë implementimit të projektit. Ata kanë falënderuar organet komunale dhe punonjësit pranë Bibliotekës “Latif Berisha” për bashkëpunimin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Universiteti i “Oxford”-it për herë të parë në historinë e…