Bideni në Kiev: Putini mendoi se mund të na mposhtë, por e kishte gabim

20 shkurt 2023 | 12:56

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka arritur për një vizitë të paparalajmëruar në Kiev.

Është ky udhëtimi i tij i parë në Ukrainë, prej se Rusia ka nisur pushtimin e këtij vendi gati një vit më parë.

Duke folur përkrah presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, Biden ka përgëzuar popullin e këtij vendi për “guximin në luftë”.

“E dija se do të kthehem”, ka thënë Bideni, duke kujtuar se ai ka vizituar Ukrainën gjashtë herë gjatë kohës sa ka shërbyer si nënpresident.

Fotografitë e shpërndara në mediat sociale shfaqën Zelenskyn duke pritur homologun e tij amerikan në qendër të kryeqytetit Kiev, më 20 shkurt.

Ndonëse paraprakisht u dëgjuan sirena paralajmëruese, nuk u raportua për ndonjë sulm.

Zelensky ka thënë se vizita e Bidenit “është një shenjë jashtëzakonisht e rëndësishme e mbështetjes për të gjithë ukrainasit”.

Bideni ka thënë se ndodhet në Kiev për të konfirmuar angazhimin e palëkundur të ShBA-së “ndaj demokracisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.

“Kur (presidenti rus, Vladimir Putin) nisi pushtimin gati një vit më parë, ai mendoi se Ukraina është e dobët dhe se Perëndimi është i përçarë. Ai mendoi se mund të na mposhtë, por e kishte gabim”, ka thënë Bideni.

Ai ka thënë se ShBA-ja po përgatit një dërgesë të re të “pajisjeve kritike” për Ukrainën, e cila, siç tha, do të përfshijë municione artilerie dhe radarë të mbikëqyrjes ajrore.

Bideni, po ashtu, ka paralajmëruar sanksione të reja kundër shtetit rus.

ShBA-ja është ndër ofruesit më të mëdhenj të ndihmave për ushtrinë ukrainase. Që nga fillimi i pushtimit rus, më 24 shkurt të vitit të kaluar, Uashingtoni i ka dërguar pajisje mbrojtëse dhe logjistike në vlerë prej dhjetëra miliarda dollarësh.

Vizita e Bidenit vjen në kohën kur forcat ruse janë duke sulmuar rëndë pozicionet ushtarake dhe vendbanimet civile në Ukrainën lindore dhe jugore.

Rusia ka kryer dhjetë sulme raketore dhe 25 sulme ajrore në rajonet lindore të Luhanskut dhe Donjeckut, si dhe në rajonin jugor të Zaporizhjes, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase në raportin e tij të përditshëm.

Sipas tij, sulmet lanë disa civilë të vrarë dhe të plagosur. Pa dhënë më shumë detaje, Shtabi paralajmërsoi se kërcënimi nga sulmet ruse mbetet i lartë në të gjithë Ukrainën.

Bideni dhe Zelensky është takuar për herë të fundit në dhjetor, kur presidenti ukrainas ka qëndruar për vizitë zyrtare në Uashington.

Asokohe, Bideni e ka siguruar homologun e tij se mbështetja e ShBA-së për Ukrainën “do të vazhdojë për aq kohë sa të ketë nevojë”. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ish-drejtori i…