Bien zgjedhjet e partitë politike kujtojnë diasporën

14 janar 2021 | 12:07

Ka filluar të mërkurën periudha e aplikimit/regjistrimit për votim përmes postës në zgjedhjet e14 shkurtit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë me dije se ky afat do të jetë nga 13 deri më 21 janar 2021. Kjo ka bërë që partitë politike, si asnjëherë më parë, t’i drejtohen diasporës me mesazhe të ndryshme për t’u regjistruar dhe votuar më 14 shkurt. Madje liderët politikë kanë bërë me dije se vota e diasporës për këto zgjedhje do të jetë shumë e rëndësishme. Për ta marrë votën e mërgatës ata kanë prezantuar edhe ofertën për këtë pjesë të qytetarëve.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, përmes një videoadresimi për publikun, ka thënë se për fitoren e tij në këto zgjedhje nevojitet secila votë e diasporës. “Të dashur bashkatdhetarë, data e zgjedhjeve tashmë është caktuar, 14 shkurti. Afatet e procesit për aplikim për votim janë shpallur dhe janë të shkruara. Qendrat tona në mërgatë kanë përgatitur këtë video sqaruese për ta lehtësuar votimin tuaj. Shikojeni videon dhe ndiqni me kujdes hapat dhe afatet e theksuar në të”, ka thënë Kurti.

Ai ka deklaruar se vetëm së bashku mund t’ia japin Kosovës një të ardhme më të mirë. “Mos harroni vota e juaj është shumë e rëndësishme. Secila vota na nevojitet për fitoren e madhe. Të gjithë dhe bashkë i japim Kosovës një të ardhme më të mirë”, është shprehur Kurti.

Edhe kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka ftuar bashkatdhetarët që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Hoxhaj ka thënë se PDK-ja ka plan konkret për diasporën, duke përfshirë vende në listën për deputetë, ulëse të rezervuara për diasporën në Kuvendin e Kosovës dhe rikthimin e Ministrisë së Diasporës. “Të dashur bashkatdhetarë, sot është hapur afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës. Ju ftoj të gjithëve që të regjistroheni deri më 21 janar dhe ta shfrytëzoni të drejtën për ta bërë ndryshimin në vendin tonë. PDK-ja ka plan konkret për diasporën, përfshirë tri vende në listën për deputetë, ulëse të rezervuara për diasporën në Kuvendin e Kosovës, rikthimin e Ministrisë së Diasporës me ministër nga Diaspora dhe lirimin nga obligimet e sigurimit kufitar. Bashkë për rimëkëmbjen e Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se më 14 shkurt diaspora duhet të jetë me Kosovën. “U bëj thirrje njerëzve, që jeta i ka degdisur nëpër vende të ndryshme të botës, të jenë në Kosovë, të jenë me Kosovën më 14 shkurt. Të jenë me njerëz të duhur të Kosovës, të jenë me ata që i mbesin besnik Kosovës, qytetarëve të Kosovës, të gjithë neve. Aleanca i ka këta njerëz, këtu i kam me vete dy kolege që e kanë fokusim diasporën. Njëra është ministrja Haradinaj-Stublla, tjetra është deputetja Time Kadrija e cila ka në fokus diasporën në kuadër të partisë sonë AAK-së”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për media.

Ai ka treguar se kjo parti do të ketë në listë për deputetë kandidatë nga diaspora. “Arbnora Hasani, një zonjë e respektuar nga rrethi i Mitrovicës, e cila jeton në Gjenevë, është kandidate për deputete nga diaspora. Ajo është një vajzë e ngritur me përvoja menaxheriale, e cila do ta përfaqësojë mërgatën si kandidate për deputete në këto zgjedhje. Ndërsa në të ardhmen Aleanca do t’i përkrahë ndryshimet për reformën zgjedhore për vendet e rezervuara për diasporën në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

 

KQZ-ja do ta verifikojë procesin e aplikimit për regjistrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet ta miratojë edhe një udhëzim lidhur me vendimin e datës 11 janar për verifikimin e aplikacioneve për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, ka deklaruar kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka. Në bazë të këtij vendimi, KQZ-ja do t’u telefonojë të gjithë personave që janë jashtë vendit dhe të cilët aplikojnë për votim për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, të cilat do të mbahen më 14 shkurt. Sipas këtij vendimi, KQZ-ja do t’i refuzojë aplikacionet e atyre që nuk lajmërohen në telefon në kohën kur ky institucion i thërret për verifikim. “KQZ-ja, duke marrë parasysh që vota nga diaspora është lehtë e cenueshme dhe shumë lehtë e manipulueshme, ka marrë një vendim me të cilin do ta bëjë verifikimin e të gjitha votave të cilat vijnë nga diaspora, respektivisht do të bëhet verifikimi i identitetit të aplikuesve dhe do të vlerësojmë se a janë ata aplikues për regjistrim si votues jashtë Kosovës me të vërtetë votuesit të cilët kanë të drejtë ligjore që të votojnë apo është duke votuar dikush në emër të tyre”, ka deklaruar për medie Daka.

Ajo ka treguar se në atë udhëzim do të përshkruhet mënyra e verifikimit dhe të gjitha çështjet të cilat janë ngritur në opinion. Ndaj këtij vendimi të KQZ-së ka reaguar edhe ushtruesja e detyrës e presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se ky vendim mund të krijojë rrethana me të cilat e drejta e votës shkelet në mënyrë flagrante. Gjithashtu, ndaj këtij vendimi ka reaguar edhe Albuena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, ani pse anëtarët e kësaj partie në KQZ kishin votuar për këtë vendim. “E drejta e votës është e pacenueshme. Ajo nuk mund të pamundësohet vetëm sepse dikush ‘nuk e ka hapur telefonin”, kishte shkruar Haxhiu.

Më pas, Lëvizja Vetëvendosje më 12 janar ka njoftuar se ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për vendimin e KQZ-së lidhur me verifikimin e aplikacioneve për votim të mërgatës. Në një komunikatë për media, Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar që për t’i shmangur problemet dhe komplikimet “përfaqësuesit e LV-së janë pajtuar që aplikimi për regjistrim të verifikohet vetëm për rastet me mospërputhje sipas procedurave, kur nga një e-mail adresë dërgohen shumë aplikacione me mbiemra të ndryshëm dhe numër të njëjtë telefoni”. “Për zbatimin e vendimit, KQZ-ja duhet të hartojë një udhëzim administrativ, i cili rregullon mënyrën e hollësishme të verifikimit. Ai pritet të miratohet sot. Ky udhëzim duhet të përjashtojë çdo mundësi të largimit të votuesve nga lista e votimit përmes një telefonate”, është thënë në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qindra njerëz protestuan në Bruksel të mërkurën në mbrëmje për…