BISEDË E IMAGJINUAR NË VETËN E PARË, ME MIKUN TIM TË HERSHËM, ISMET SYLEJMANI

24 mars 2020 | 21:25

SHAQIR SHAQIRI

Epo shoq i dashur, unë kam mall për Preshevën.

Kaq afër e nuk shkoj dot.

Ata që vijnë nga Presheva më flasin dhe më thonë se Presheva po zbrazet, por ta dish Ismet se, unë nuk po ju besoj.

Nuk po ju besoj se unë kur e kam lënë, Presheva gumëzhinte nga gjallëria e atyre shqiptarëve që jetonin, punonin, mësonin e shpresonin për një jetë të lirë e të bashkuar me Kosovën.

Sot më është plaga që kullon, që  më dhembë.

Lugina e Preshevës prek shpirtin tim, më ngrit në emocion e nostalgji.

Kur e dëgjoj emrin e saj në media ose TV, ngritem nga vendi e zemra më bën brof.

Dy shkrimet e tua për Luginën e Preshevës, “Coronavirusi në Luginë të Preshevës” dhe  “Lugina e Preshevës në orë policore e në izolim totalitar serb”, të botuara në në gazetën e epokës shqiptare “Epoka e re”, më kthyen mbrapa në kohën e ilegalitetit, jetës plot motiv.

Presheva e Lugina e saje, nuk të shkoqet dot nga mendja sikur ke obligim ndaj saj.

Epo Ismet shoku im, nuk është hera e parë dhe nuk mundet ndryshe me ndodh nga njeriu i ilegales shqiptare të viteve 80 dhe 90 të shekullit të kaluar, veçanërisht njërit nga udhëheqësit e LPK-së KRR Gjilan, të mendoj dhe të shkruaj ndryshe për Luginën e Preshevës, asaj Kosove të paçliruar.

Nuk ka mundësi që të mos e kujtojmë dhe të mos u tregojmë brezave se ti o Ismet Sylejmani, ke folur për Luginën e Preshevës bashkë me ne preshevarët edhe në kohën e ilegalitetit të LPK-së, edhe në kohën kur LPK po e projektonte përgatitjen e rezistencës së armatosur, kur LPK-ja po formonte celulat e para të UÇK-së, e ke folur edhe gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Po ashtu ke folur edhe gjatë luftës së UÇPMB-së dhe e ke ngritur zërin edhe pas luftës së UÇPMB-së.

Ti e di mirë, biles po e ndjen se Lugina e Preshevës është Kosova e paçliruar, që Kosovës i mbetet amanet e Kosova mbetet borxhli ndaj saj, deri në çlirim e bashkim kombëtar.

Ismet shoku, Prishtina dhe Tirana sot, në këtë kohë të trisht e të frikës që ka mbjellur virusi vrastar Covid 19, nuk u dalin dot në ndihme vëllezërve të tyre në Luginën e Preshevës, asaj “krahine puro shqiptare” siç thua ti, sepse kufijtë janë mbyllur dhe nuk lejohet qarkullimi.

Prishtina zyrtare, kryeqyteti i Kosovës sonë të dashur vepron edhe më keq, nuk i pranon shqiptarët e Luginës së Preshevës si shqiptarë, sepse për Prishtinën zyrtare shqiptarët e Luginës së Preshevës janë shtetas të Serbisë dhe trajtohen më keq se ata qytetarë që vërtetë janë të Serbisë!…

Ani se shqiptarët e Luginës së Preshevës kaluan rininë e tyre në burgje jugosllave për “Kosovën Republikë”, shumë prej tyre u ndjekën politikisht për të mos u kthyer më kurrë në Preshevë, e shumë prej tyre bartin si trofe plagët e luftës së UÇK-së.

Sot, kur coronavirusi kërcnon me vdekje, dhe kur kufijtë janë mbyllur, një problem shumë të rëndësishëm që e ngrite në shkrimet tuaja, edhe unë bashkë me ty po pyes se ku mbeti shpresa e shqiptarëve të Luginës së Preshevës?

A mos vallë shpresa e tyre është varë tek gjendja e jashtëzokshme dhe ora policore serbe?

Kosova edhe pse ka me shumë se 20 vite që është çliruara nga Serbia, shqiptarët e kanë akoma të freskët terrorin që ua bëri makineria ushtarako-policore serbe, biles kanë ankth e zgjohen jerem.

Po shqiptarët e Luginës së Preshevës që edhe përkundër luftës në Kosovë (UÇK-së) e luftës në Luginë (UÇPMB-së) mbeten të okupuar, çfarë do t’u rikujtonte kjo gjendje e jashtëzakonshme, ky shtetërrethim dhe kjo orë plicore?

Po shpresën për kujdesje mjekësore dhe shërim nga coronavirusi vdekjeprurës, ku do ta kenë, kur dihet se edhe në raste të zakonshme shqiptarët janë trajtuar si qytetarë të rendit të dytë.

Eu, shoku im Ismet.

Po t’i them dy fjali që shokët dhe miqt nga Presheva po m’i shkruajnë në rrjetet sociale, po më thonë: ‘Shaqë, do ta përballojmë edhe këtë sfidë, me forcën tonë, me kujdes dhe disiplinë.

Do Zoti dhe na ndihmon”.

Kjo është shpresa e shqiptarëve të Luginës së Preshevës përballë Covid-it vdekjeprurës, shtetrrethimit serb dhe injorancës nga shkërdhatë pushtetarët kosovarë…..

Unë dhe ti jemi ndër personazhet kryesor të historisë së re dhe e dimë se si erdhi lira në Kosovë, prandaj kemi guximin edhe të flasim, qoftë edhe në këtë mënyrë.

Gjilan, 24 Mars 2020!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nju Jorku është epiqendra e infektimit nga koronavirusi, sepse atje…