Bislimi flet për një marrëveshje me Serbinë që është afër finalizimit

23 maj 2022 | 15:45

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi po raporton në Komisionin për Punë të Jashtme lidhur me dialogun me Serbinë. Çështja e targave dhe ajo e energjisë elektrike Bislimi ka thënë se ishin parë si parakusht për krijimin e një atmosfere të përshtatshme për negociatat mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Bislimi tha se është shumë afër arritja e një marrëveshjeje me Serbinë për çështjen e furnizimit, faturimit dhe pagesës së faturave të energjisë elektrike në veri të Kosovës.

“Te çështja e energjisë ne kemi prezantuar një udhërrëfyes se si duhet të vijmë deri te normalizimi i situatës me normalizim që ka paraparë hapa nga licencimi i Elektroserverit deri te faturimi i plotë. Për këtë janë paraparë 105 ditë dhe mendoj që ne jemi shumë afër finalizimit të kësaj marrëveshjeje dhe mbase edhe shumë shpejt mund të thuhet se ka dakordim dypalësh që të fillojë implementimi i saj”, tha ai.

Duke mos dashur të japë detaje të marrëveshjes në mënyrë që, siç tha, “të mos rrezikohet asgjë”, Bislimi theksoi se më në fund, mund të ketë rezultate konkrete në këtë çështje.

“Prandaj në këtë rast kisha dashtë pak a shumë hapësirë që të mos flas për detajet e marrëveshjes, në mënyrë të mos rrezikohet asgjë në moment të fundit. Por mund të them që këtu jemi në rrugë të mirë që më në fund të kemi rezultate konkrete dhe përfundimisht veriu i Kosovës të futet në sistem normal të furnizimit, faturimit dhe pagesës së faturave të energjisë”, tha zëvendëskryeministri.

Ndërkaq për çështjen e targave, Bislimi tha se nuk është arritur ndonjë pajtim. “Dakordimi është që ta përgatisim një plan B për targat”, tha ai.

Çështja e targave dhe ajo e energjisë elektrike janë dy prej temave që janë diskutuar më së shumti në dialogun mes kryenegociatorëve dhe Bislimi pati një arsye për këtë.

“Ne kemi pasur një dakordim që në start që të fokusohemi kryesisht në marrëveshjen gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme, mirëpo ballafaqimi me këto dy tema ka qenë si detyrim për dy arsye. Marrëveshja e targave ka pas një afat skadence më 15 shtator 2021 dhe rrjedhimisht kemi qenë të detyruar ta gjejmë një zgjidhje se si do të vazhdohet. Kjo ka qenë arsyeja se pse jemi dashur të merremi me çështjen e targave”, tha ai.

“Dhe e dyta, energjia, për shkak se nuk kemi arritur që veriun ta fusim në sistem normal të faturimit. E dyta ka pasur kosto të madhe financiare dhe politike”, shtoi Bislimi.

Këto dy çështje, zëvendëskryeministri i paraqiti si “parakusht” për një atmosferë të përshtatshme për takimin e nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Kemi menduar që kjo është parakusht për të krijuar një atmosferë të përshtatshme për fillimin e negociatave për marrëveshjen gjithëpërfshirëse mes liderëve të shteteve”, tha ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, do të vizitojë Ballkanin Perëndimor…