Bislimi: Rregullorja e BQK-së do të hyjë në fuqi nesër, me tranzicion të lehtësuar

31 janar 2024 | 15:33

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka konfirmuar të mërkurën se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila vendos që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa me para të gatshme, do të hyjë në fuqi të enjten më 1 shkurt, ashtu siç parashihej.

Kjo vjen pavarësisht trysnisë ndërkombëtare që Kosova ta shtyjë zbatimin e një vendimi të tillë, i cili e ndalon përdorimin e dinarit serb në vend.

Bislimi ka thënë se “do të sigurohet tranzicioni i lehtësuar. Implementimi i rregullores nuk nënkupton ndalim të transfere nga Serbia dhe nuk nënkupton dënime eventuale financiare për mbajtjen e valutës se një shteti tjetër”.

Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, vazhdon ta përdorë dinarin për t’i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe rrogat për institucionet paralele që ka në Kosovë.

Bislimi ka ngulur këmbë se rregullorja e BQK-së nuk ka të bëjë me dinarin serb në veçanti.

“Nuk ka dyshim se qëllimi final i rregullores është edhe mbrojtja e konsumatorit dhe pagesave në Republikën e Kosovës. Synim i rregullores nuk ka qenë dhe as nuk është caktimi i monedhës zyrtare në qarkullim meqë kjo është caktuar shumë më herët, njësoj nuk ka qenë fokus i rregullores ndalimi i qarkullimit të ndonjë monedhe specifike”, ka thënë Bislimi.

Më tutje, ai ka përsëritur se euroja vazhdon të jetë valuta e vetme zyrtare në qarkullim në Kosovë.

“Më lejoni ta përsëris se rregullorja as s’e lejon, as s’e ndalon e as që merret me dinarin serb, meqë dinari serb nuk ka qenë i lejuar më herët që ajo ta ndalojë tani”, ka thënë ai.

Bislimi ka thënë se bashkësia ndërkombëtare nuk e vë në dyshim ligjshmërinë e rregullores, duke iu referuar takimeve të fundit të ambasadorëve të Quint-it me kryeministrin Albin Kurti këtë javë, si dhe vizitës së të dërguarit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, në Prishtinë të martën.

Ai ka thënë se shpreson në bisedime mes Bankës Qendrore të Kosovës dhe asaj të Serbisë, për gjetjen e një marrëveshjeje për transferimin transparent të mjeteve në Kosovë.

Bislimi e ka kritikuar Serbinë për keqpërdorim me para në emër të serbëve të Kosovës.

“Presidenti serb deklaron që ai dërgon në Kosovë çdo vit 800 milionë euro, sikur të vinin 800 milionë euro në Kosovë, serbët e Kosovës do t’i kishin të ardhurat si qytetarët e Japonisë. Në Kosovë do vijnë më pak se 200 milionë euro. Vendosja e transparencës e vendos në siklet Vuçiqin të deklarojë ku shkojnë paratë e tjera”, është shprehur Bislimi. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga 2 deri më 4 shkurt do të mbahet Grand…