Bislimi: Sistemi bankar nuk është në nivel të përgjegjësisë

08 prill 22:13

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka folur edhe për sistemin bankar, për rolin e Bankës Qendrore të Kosovës dhe për ankesat e qytetarëve, që kanë të bëjnë me kreditë në këtë kohë pandemie.

Ai tha se BQK-ja vepron e pavarur, por ka parë një vullnet të drejtuesit e saj për masa më rigoroze në raport me bankat.

Në emisionin “Desku” në KTV ai ka vlerësuar se bankat kanë vepruar në kundërshtim me atë që ishin dakorduar përfaqësuesit e tyre me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Ai ka thënë se nuk është koha që bankat të maksimizojnë përfitimet e tyre.

“Ka një dakordim nga takimi i Qeverisë me përfaqësuesit e sistemit bankar, por në terren po ndodh e kundërta e asaj. Jemi dakorduar që bankat t’i shtyjnë pagesat e atyre bizneseve dhe individëve që janë në vështirësi pa aplikuar asnjë kosto. Ajo që ka ndodhur në terren ka qenë e kundërta, e kanë shfrytëzuar bankat me i rrit profitet e tyre. Të gjitha kanë seksionet për komponente sociale, po kanë dështuar duke i aplikuar disa praktika jo fort legale. Banka Qendrore nuk iu ka dhënë diskrecion bankave”, ka shpjeguar ai.

Ai ka thënë se ka nevojë për ndërhyrje me agresive nga BQK-ja.

“Guvernatori është njëfarë këshilltari i ministrit të Financave, e kam takuar. Ai ka me dalë me masa më restriktive për sistemin bankar, sistemi bankar nuk është në nivel të përgjegjësisë në këtë moment. Unë kam qenë shumë optimist në takimin që kemi pasur me të gjithë përfaqësuesit e bankave. Kam besuar se do të na ndihmojnë në këtë fazë. Pasi duke i ndihmu shëndetit të ekonomisë, ata i ruajnë klientët e vet. BQK-ja është e pavarur, ka vepruar në mirëbesim se bankat do të sillen ndryshe, se nuk do të përpiqen në këtë fazë me maksimizu profitin”, ka thënë Bislimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Milot Rashica nuk do ta zgjidhte Kosovën por do të…