Biznesmenë apo trafikantë?!

12 tetor 16:16

Nga Anisa Bahiti

Në fillimin e viteve ‘90 një çoban nga një fshat afër Fierit u kthye në tregtar të vogël nafte, falë kontrabandës së naftës me ish-Jugosllavinë. Në pak kohë, ai u bë shumë i pasur dhe i fuqishëm ndër “tregtarët” e naftës.

Ky ndryshim i menjëhershëm i bëri të mundur ndërtimin e një shtëpie të madhe dhe të bukur në fshat, plus bleu një nga veturat më të bukura të kohës.
Një herë, ndërsa ishte i sëmurë, shkoi ta vizitojë në shtëpi një tregtar tjetër nafte. Në oborr të vilës gjen nënën e të sëmurit që kulloste delet. Teksa pyet për të zotin e shtëpisë, ai shfaqet me një lëkurë dele, të cilën e kishte veshur si xhup, rreth trupit kundër ftohjes. Shtëpia dhe i zoti kundërmonin era bagëti dhe mysafiri i thotë: – “Po ti gjithë ky tregtar i madh akoma bagëtitë në shtëpinë ku jeton vetë i mban ?”

I zoti i shtëpisë ia pret mysafirit duke i thënë: -“ Pavarësisht se kontrabanda e naftës po na shkon mbarë, le t’i mbaj bagëtitë se unë këtë zanat kam. Kontrabandës nuk i dihet si shkon, ndërsa bagetitë mbeten!

Tregtari nuk gaboi. Disa vite më vonë ra në fatkeqësi e vetëm bagëtitë i mbetën.

Kjo histori të vjen ndërmend sa herë që vritet apo plagoset dikush, të cilat mediat e përshkruajnë si biznesmeni “ X” apo tregtari “filan”. Sa herë shfaqet në deklarata për shtyp zëdhënësja e OFL, e cila lexon emra subjektesh kriminale që duhet të paraqesin dokumentacionin e origjinës së pasurisë.

Fatkeqësisht shume prej tyre i kemi parë dhe në parlament, në kryesi bashkish e me siguri do vazhdojmë t’i shohim. Ajo çfarë s’duhet të na mundë është e keqja edhe kur ajo vjen përmes parasë dhe pushtetit, ndaj gjërat duhen shkruar me emrin e tyre, ashtu siç jane trafikanti është trafikant dhe jo afarist apo ndërtues

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një qytet në Kinë ka vendosur të testojë të gjithë…