Bjellorusia thotë se pranoi armët bërthamore ruse për shkak të ‘presionit’ perëndimor

28 mars 2023 | 12:33

Bjellorusia ka thënë të martën se është detyruar të pranojë armët bërthamore ruse, për shkak të presionit “të pashembullt” perëndimor.

Megjithatë, Minsku ka insistuar se pranimi i tyre nuk i ka shkelur marrëveshjet ndërkombëtare.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka prezantuar në fundjavë planin për dërgimin e armëve bërthamore taktike në Bjellorusi.

Ky vendim është dënuar ashpër nga Perëndimi.

“Bjellorusia është detyruar të përgjigjet për të forcuar kapacitetet e saj të sigurisë dhe mbrojtjes”, ka thënë Ministria e Jashtme në Minsk.

Ajo ka thënë se Minsku është përballur me presion “të pashembullt” politik dhe ekonomik nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

Bjellorusia ka thënë se nuk do të ketë kontroll mbi armët dhe dërgimi i tyre në territorin e saj “nuk është në kundërshtim” me Traktatin për Mospërhapje të Armëve Bërthamore.

Minsku e ka lejuar Rusinë që ta përdorë territorin e tij për nisje të luftës në Ukrainë, vitin e kaluar.

Të dyja shtetet kanë mbajtur edhe stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe e kanë rritur bashkëpunimin në vitin e fundit.

“Bashkëpunimi ushtarak në mes të Bjellorusisë dhe Rusisë është duke u kryer në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, ka thënë ministrja bjelloruse.

Planet e Putinit për të dërguar armë bërthamore afër territorit të Bashkimit Evropian kanë nxitur thirrjet për sanksione të reja kundër Moskës.

Ndonëse shqetësimet sa shkojnë e rriten – prej kur Putin e ka nisur luftën në Ukrainë – shumë ekspertë besojnë se çfarëdo sulmi eventual rus, do të mund të bëhet me armë të vogla “taktike” dhe jo armë “strategjike”.

Presidenti autoritar, Alexander Lukashenko, e udhëheq Bjellorusinë prej vitit 1994.

Perëndimi e ka goditur Minskun me disa valë sanksionesh, për shkak të qasjes bjelloruse në shtypje të disidentëve dhe rolit të saj në luftën e Rusisë në Ukrainë.

Presidenti rus, Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbi 100 propozime të reja janë bërë në kuadër të…