Blinken thotë se Izraeli duhet ta ndihmojë Autoritetin Palestinez

17 janar 2024 | 13:59

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka bërë thirrje Izraelit të ndihmojë, e jo ta pengojë, Autoritetin Palestinez, duke theksuar se siguria afatgjatë e Izraelit është në rrezik.

Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, Blinkeni ka përsëritur thirrjen e tij për “një rrugë drejt një shteti palestinez”, përkundër që Uashingtoni mbështet fushatën izraelite në Gazë që Izraeli nisi në përgjigje të sulmit të 7 tetorit të kryer nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Në mungesë të kësaj, ju nuk do të keni sigurinë që iu duhet. Dhe, sigurisht, që një Autoritet Palestinez, i fortë dhe i reformuar i cili mund të jetë më efektiv që të prodhojë rezultat për popullin e tij, duhet të bëhet pjesë e ekuacionit”, ka thënë Blinkeni.

Blinkeni i ka bërë thirrje Izraelit të punojë me palestinezët për rrugën drejt një shteti

“Një Autoritet Palestinez efektiv mund të operojë vetëm me mbështetjen, me ndihmën e Izraelit e jo me kundërshtimin e tij”, ka thënë kryediplomati amerikan.

ShBA-ja e ka mbështetur thirrjen e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për zhdukjen e Hamasit, që kontrollon Rripin e Gazës, por ka bërë thirrje që Autoriteti Palestinez, që udhëhiqet nga Mahmoud Abbas në Bregun Perëndimor, që gradualisht të marrë kontrollin e Rripit të Gazës.

Netanyahu që një kohë të gjatë është shprehur kundër një shteti palestinez.

Luftimet në Gazë shpërthyen pasi Hamasi kreu sulm në jug të Izraelit, duke vrarë afër 1 200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Sipas autoriteteve shëndetësore në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, mbi 24 000 palestinezë janë vrarë gjatë ofensivës izraelite në Rripin e Gazës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Bliken, gjatë fjalimit në Forumin e Davosit më 17 janar 2024.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se peticioni i…