Bllokada amerikane në Hormuz: Tankeri kinez detyrohet të kthehet mbrapsht, asnjë anije nuk thyen rrethimin e SHBA

15 prill 2026 | 20:53

Bllokada detare e shpallur nga Presidenti Donald Trump ka shënuar suksesin e parë operativ në Ngushticën e Hormuzit, duke detyruar mjetet lundruese që tentuan të thyenin rrethimin të kthehen mbrapsht.

Sipas të dhënave të fundit të lundrimit, tankeri kinez “Rich Starry”, i sanksionuar nga SHBA, u detyrua të bënte prapakthehu këtë të mërkurë pasi dështoi të kalonte kordonin e sigurisë të vendosur nga forcat amerikane, përcjell Reuters.

Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi përmes rrjeteve sociale se gjatë 24 orëve të para të bllokadës, asnjë anije nuk ka arritur të kalojë përtej zonës së ndaluar.

“Gjatë 24 orëve të para, asnjë anije nuk ia doli të kalonte bllokadën e SHBA-së. Gjashtë mjete lundruese u janë bindur udhëzimeve të forcave tona për t’u kthyer mbrapsht dhe për të rihyre në portet iraniane”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Bllokada, e cila nisi pas dështimit të bisedimeve të paqes në Islamabad, ka krijuar një pasiguri të madhe për kompanitë e transportit dhe siguruesit e luftës.

Trafiku detar në këtë zonë jetike ka rënë në një fraksion të vogël krahasuar me mbi 130 kalime ditore që regjistroheshin para fillimit të luftës mes Izraelit, SHBA-së dhe Iranit më 28 shkurt.

Sipas ekspertëve, Irani ka kapacitete magazinimi që mund të përballojnë ndërprerjen e eksporteve për rreth dy deri në tre muaj, nëse prodhimi aktual prej 3.5 milionë fuçi në ditë vijon të mbahet në këto nivele.

Ndërkohë që anijet që lidhen me Iranin po bllokohen, lëvizjet drejt Irakut duket se po lejohen nën mbikëqyrje. Tankeri gjigand “Alicia”, pavarësisht se është i sanksionuar për lidhjet e kaluara me Iranin, është lejuar të hyjë në Gji pasi destinacioni i tij është Iraku për të ngarkuar naftë.

Po ashtu, anija “Agios Fanourios I”, pas një dështimi në tentativën e parë të dielën, ka arritur të hyjë në Gji me synimin për të ngarkuar naftë nga Basra për llogari të një rafinerie në Vietnam, duke treguar se bllokada është e targetuar specifikisht ndaj porteve dhe mallrave iraniane.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Halit Krasniqi Sot, në 28-vjetorin e rënies së Dr.…