Boltoni: Amerika nuk kërkon ‘ndryshim të regjimit’ në Iran

14 maj 2018 | 11:26

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Siguri Kombëtare, John Bolton ka thënë se “ndryshimi i regjimit” në Iran nuk është aktualisht pjesë e politikës së administratës së tij, pavarësisht deklaratave të më hershme se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë presion për një qeveri të re në Teheran.

“Kjo nuk është politikë e administratës. Ne dëshirojmë të sigurohemi se Irani nuk do të prodhojë armë bërthamore”, ka thënë Bolton për televizionin “ABC” më 13 maj.

Në një tjetër program të “CNN”-it, Boltoni ka ndryshuar qëndrimet për dallim nga ato që kishte para se t’i bashkohej administratës.

“Unë kam thënë shumë gjëra për vite të tëra kur kam qenë agjent i lirë”, ka thënë ai.

Boltoni është emëruar në vendin e H.R McMaster në pozitën e këshilltarit për Siguri Kombëtare derisa konsiderohet se i përket linjës së ashpër për shumë çështje ndërkombëtare, duke përfshirë Iranin.

Ai ka thënë për “CNN”-in se puna e tij është të këshillojë Trumpin dhe se presidenti vendos për qasjen në politika, raporton “Rel”.

Në muajin janar, Boltoni pati thënë për “Fox News” se Shtetet e Bashkuara duhet të rrisin presionin ekonomik në Teheran dhe të ofrojnë mbështetje për kundërshtarët qeveritarë.

Më 2015 në një opinion të botuar në “The New York Times” ai bënte thirrje për sulme ajrore në zonat bërthamore të Iranit.

Më 8 maj të këtij viti presidenti Trump ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka me fuqitë botërore.

Sipas këtij pakti, Irani është pajtuar për frenuar aktivitetet bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka njoftuar besimtarët dhe…