Borrelli thotë se vendet e BE-së duhet t’i dërgojë Ukrainës sisteme antiraketore

18 prill 2024 | 12:40

Kryediplomati i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka thënë të enjten se shtetet e këtij blloku duhet t’i dërgojnë Ukrainës sisteme të veta anti-raketore për t’ia fuqizuar mbrojtjen ajrore, duke paralajmëruar se Evropa nuk mund të mbështetet vetëm te ShBA-ja për ta ndihmuar Kievin.

“Ne kemi (sisteme) ‘Patriot’, kemi sisteme anti-raketore. Ne duhet t’i nxjerrim ato nga kazermat tona, ku ato ndodhen për çdo rast, dhe t’i dërgojmë ato në Ukrainë, ku po zhvillohet lufta”, ka thënë para gazetarëve shefi i politikës së jashtme të BE-së para një takimi të ministrave të jashtëm të vendeve të Grupit G7 në Itali, raporton agjencia “Reuters”.

“Në të kundërtën, sistemi energjetik i Ukrainës do të shkatërrohet dhe asnjë shtet nuk mund të luftojë pa pasur rrymë në shtëpi, në fabrika, në internet, për gjithçka”, ka thënë Borrelli.

Mbrojtja ajrore e Ukrainës është çështje kyçe për ministrat e mbledhur në Itali, pas një apeli të Gjermanisë të mërkurën ndaj BE-së dhe NATO-s që të bëjnë më shumë për ta ndihmuar Kievin.

“Unë jam i sigurt se do ta bëjmë atë, por duhet ta përfundojmë më shpejt”, ka thënë Borrelli, duke shtuar se i vjen keq për “politikat e brendshme” në ShBA që po e shtyjnë pakon shumë të nevojshme të ndihmave për Ukrainën me vlerë të më shumë se 60 miliardë dollarëve.

“Ne nuk mund të mbështetemi vetëm te ShBA-ja. Duhet ta marrim përgjegjësinë tonë dhe të ndalojmë së thoni: O, ShBA-ja do ta bëjë”, ka thënë zyrtari i lartë evropian.

Pakoja amerikane e ndihmave për Ukrainën dhe Izraelin ka mbetur me muaj e bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve të ShBA-së, edhe pse është miratuar nga Senati.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori i së drejtës kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se…