Bosnja arreston pesë të dyshuar për krime lufte

07 dhjetor 2021 | 15:59

Agjencia për Hetime dhe Mbrojtje e Bosnje e Hercegovinës (SIPA) ka bërë me dije se pesë ish-ushtarë janë arrestuar në Sarajevë, nën dyshimet se kanë kryer krime kundër civilëve serbë, që ishin të burgosur gjatë luftës në Bosnjë më 1992-1994.

Përmes një deklarate, SIPA ka theksuar të martën se të paktën tetë civilë ishin vrarë dhe mbi 100 të tjerë ishin plagosur nga pesë ushtarët, që po akuzohen për burgosje të paligjshme, torturë, abuzim, punë të detyrueshme, keqtrajtim fizik dhe mendor, si dhe vrasje.

Civilët e burgosur ishin mbajtur ilegalisht gjatë periudhës së luftës në kampe të të burgosurve, që gjendeshin në objektin e një shkolle dhe në një ndërtesë të papërfunduar në Sarajevë.

“Të pandehurit akuzohen me vrasjen e të paktën tetë civilëve të cilët kishin qenë të burgosur. Në mesin e të dyshuarve ka edhe keqbërës të cilët kanë qenë të përfshirë direkt në vrasje”, është thënë në deklaratën e SIPA-s.

SIPA ka thënë se policia serbe ishte pjesë e operacioneve teksa disa nga viktimat tani jetojnë në Serbi.

Mbi 100 mijë persona janë vrarë gjatë konfliktit në Bosnje, që ka përfunduar pas arritjes së një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, që ka ndarë administratën e shtetit në linja etnike në mesin e boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve.

Ky është operacioni i tretë në dy javët e fundit për arrestimin e të dyshuarve për krime të luftës.

Më 3 dhjetor, shtatë persona u arrestuan dhe u akuzuan për pjesëmarrje në vrasjen e 22 boshnjakëve, përfshirë edhe shtatë fëmijë, në fshatin Balatun. Vrasjet në këtë fshat kishin ndodhur pothuajse 30 vjet më parë. Atëbotë, tre persona të dyshuar për këto vrasje, ishin anëtarë të policisë serbe.

Katër ditë para kësaj, SIPA ka arrestuar nëntë persona në qytetin Novi Grad nën dyshimet për krime kundër njerëzimit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski, ka deklaruar të martën,…