Botohet libri i Arsim Bajramit “Konferenca e Rambujesë dhe intervenimi i NATO-s në Kosovë”

16 shtator 2025 | 11:30

Ky studim është bërë në 25-vjetorin e mbajtjes së Konferencës së Rambujesë dhe bombardimeve të NATO-s në Kosovë, që mundësoi çlirimin dhe më vonë pavarësinë e Kosovës.

Duke qenë se Arsim Bajrami ka qenë pjesëmarrës në këtë konferencë, në Rambuje dhe Paris, në cilësinë e këshilltarit ligjor, ka bërë përpjekje të vë në pah prapaskenat e saj dhe kryqëzimin e politikave ndërkombëtare në raport me Kosovën.

“Krahas përpjekjes për t’i parandaluar synimet e Serbisë, për të zbatuar gjenocidin e dytë në Kosovë, pas atij në Bosnjë, Konferenca e Rambujes shënoi fillimin e një rendi të ri botëror, i cili legjitimon përdorimin e forcës së NATO-s, kudo që shkelen të drejtat e njeriut, kryhen krimet kundër njerëzimit, spastrimi etnik dhe politikat e gjenocidit”, ka theksuar autori i këtij libri akademik, Arsim Bajrami.

Ai ka thënë se Konferenca e Rambujesë përfaqëson një ngjarje të rëndësishme në procesin e shtetformimit dhe pavarësisë së Kosovës.

“Ajo ishte ngjarja e parë historike, në të cilën bashkësia ndërkombëtare, përmes Grupit të Kontaktit, vendosi të kërkojë një zgjidhje për statusin juridik dhe politik të Kosovës. Pas padrejtësive historike të një shekulli më parë, kur në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, më 1913, fuqitë e mëdha copëtuan trojet etnike shqiptare, Konferenca e Rambujesë ishte rasti i parë kur shqiptarët e Kosovës u ftuan në një konferencë për të vendosur për fatin e tyre. Edhe pse kjo konferencë nuk solli menjëherë pavarësinë, falë rezistencës shekullore, luftës heroike të UÇK-së dhe bombardimeve të NATO-s, drejtësia e mohuar për shekuj u kthye më 17 shkurt 2008, me shpalljen dhe njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës”, ka vlerësuar Bajrami.

Konferenca u mbajt nga 6 deri më 23 shkurt 1999 në Rambuje (Rambouillet), Francë, dhe kishte rëndësi të madhe në kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpjekjeve për një zgjidhje paqësore. “Ajo ofroi një mundësi për negociata ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, me synim arritjen e një marrëveshjeje paqësore. Në konferencë morën pjesë SHBA-të, BE-ja, Rusia dhe shtete të tjera të Grupit të Kontaktit, të cilat shprehën mbështetje për një zgjidhje diplomatike”, ka thënë ai.

Bajrami ka pohuar se dështimi për të arritur një marrëveshje gjatë konferencës i hapi rrugën ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, e cila filloi në mars 1999.

Ai thotë se kjo ndërhyrje kishte për qëllim ndalimin e krimeve kundër njerëzimit, pastrimit etnik dhe gjenocidit që po ndodhnin ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Synimi kryesor i Konferencës së Rambujesë ishte ndalja e luftës dhe gjenocidit serb përmes një marrëveshjeje të përkohshme paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Arsim Bajrami ka thënë se Konferenca e Rambujesë ka rëndësi të jashtëzakonshme për tre arsye kryesore: 1. Mundësoi ndërhyrjen ndërkombëtare të NATO-s në një fazë të hershme të luftës – një intervenim parandalues që zgjati 78 ditë dhe e detyroi Serbinë të kapitullojë dhe të pranojë Marrëveshjen e Kumanovës. 2. Mundësoi çlirimin e plotë të Kosovës dhe largimin e forcave militare e paramilitare serbe. 3. Krijoi një partneritet strategjik midis Perëndimit dhe Kosovës – veçanërisht mes NATO-s dhe UÇK-së, si dhe mes SHBA-ve, Britanisë së Madhe, BE-së dhe popullit të Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.

“Konferenca e Rambujesë ishte një fitore politike dhe diplomatike për Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare. Epilogu i saj ishte më i miri i mundshëm për Kosovën: pala kosovare e pranoi marrëveshjen, ndërsa ajo serbe e refuzoi, duke hapur rrugën për fillimin e bombardimeve pa një miratim formal nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së”, është shprehur ai.

Bajrami ka shtuar se “kjo ndërhyrje ka promovuar doktrinën e intervenimit humanitar, duke vendosur një precedent global: askush nuk mund të kryejë gjenocid apo krime kundër njerëzimit pa u ndëshkuar nga bashkësia ndërkombëtare. Ishte kjo hera e parë pas Luftës së Dytë Botërore që u zhvillua një fushatë bombardimesh pa autorizim nga Këshilli i Sigurimit, çka shkaktoi debat në qarqet juridike. Juristët e ndikuar nga doktrina sovjetike e konsideruan si shkelje të së drejtës ndërkombëtare, ndërsa të tjerë, me qasje pragmatike, argumentuan se ndërhyrja afirmoi dhe reformoi të drejtën ndërkombëtare humanitare, sipas Kapitullit VII të Kartës së OKB-së”.

“Sot, 25 vjet më pas, mund të themi se Kosova ka qenë me fat që ky intervenim ndodhi në një kontekst të favorshëm gjeopolitik, kur raporti i forcave ndërkombëtare ishte në favor të SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe aleatëve të tjerë perëndimorë. Në situatën aktuale, kur bota po shkon drejt një rendi bipolar, madje edhe tripolar, një ndërhyrje e tillë do të ishte thuajse e pamundur. Duke qenë se ky libër i imi është jubilar (i dyzeti me radhë) dhe i kushtohet një ngjarjeje historike, që ndryshoi historinë e Kosovës, në kohen kur populli i Kosovës nëpërmjet UÇK-së zhvillonte luftën ‘për liri, ose vdekje’, këtë botim ia dediktojë nënës sime, Jalldyze Shamolli Bajrami, që ndërroi jetë, kur unë po i shkruaja faqet e fundit të këtij libri”.

“Së fundi, dëshiroj t’i falënderoj të gjithë ata që më ndihmuan për hartimin dhe botimin e këtij libri, duke filluar nga ASHAK-u, recensentët: akademikët Jusuf Bajraktari dhe Muhamedin Kullashi, redaktoren e këtij botimi, prof. dr. Gjyljeta Mushkolaj, mr. Lirik Veselajn për redaktuarën teknike, lektorin Prof. dr. Xhavit Beqirin, stafin teknik të ASHAK-ut, kolegët nga Fakulteti Juridik për kontributin, këshillat dhe sugjerimet e dhëna gjatë hartimit të këtij libri”, ka njoftuar Bajrami.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndodhet sot në Bruksel ku…