BQK-ja dhe Eurostat-i vlerësuan progresin e arritur në përafrimin e statistikave kombëtare me standardet evropiane

13 maj 2026 | 13:54

Zëvendësguvernatori i BQK-së, Dardan Fusha me koleget nga Departamenti i Statistikave priti një mision nga Eurostat, Zyra Statistikore e Bashkimit Evropian, i fokusuar në shqyrtimin e progresit në fushën e statistikave dhe në përafrimin e mëtejshëm me standardet statistikore evropiane.

Delegacioni i Eurostat-it u udhëhoq nga Claudia Junker, shefe e Njësisë për Zgjerim, Fqinjësi dhe Bashkëpunim për Zhvillim, si dhe nga Kari Anne Lund, zyrtare statistikore e sapoemëruar përgjegjëse për Kosovën.

Misioni përfshinte gjithashtu Ibrahim Rrustemin, drejtor i Departamentit për Politika, Planifikim, Koordinim dhe Komunikim në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK).

Gjatë takimit, zëvendësguvernatori i BQK-së, Dardan Fusha, theksoi se statistikat mbeten një prioritet strategjik, duke pasur parasysh rëndësinë e tyre për hartimin e politikave, transparencën dhe procesin e integrimit evropian.

Si BQK ashtu edhe Eurostat vlerësuan progresin e arritur në vitet e fundit në përafrimin e statistikave kombëtare me standardet evropiane, duke u mbështetur në bashkëpunimin afatgjatë të BQK-së me Eurostat-in përmes transmetimit të rregullt të të dhënave për më shumë se një dekadë.

Progres i veçantë u theksua në fusha kyçe si Bilanci i Pagesave, Pozicioni i Investimeve Ndërkombëtare, Investimet e Huaja Direkte (IHD) dhe statistikat e Tregtisë Ndërkombëtare në Shërbime (TNS).

BQK prezantoi përpjekjet e saj të vazhdueshme për përmirësimin e cilësisë së të dhënave dhe zgjerimin e mbulimit statistikor, si dhe për forcimin e kornizave metodologjike. Këto përpjekje mbështeten nga aktivitetet për ngritjen e kapaciteteve, angazhimi i stafit të ri dhe progresi i vazhdueshëm në automatizimin dhe modernizimin e proceseve statistikore.

Në këtë kontekst, bashkëpunimi me ASK-në u vlerësua shumë, me theks të veçantë në rëndësinë e koordinimit të fortë institucional për të siguruar konsistencën e të dhënave, harmonizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemit statistikor kombëtar.

Në të njëjtën kohë, gjatë diskutimit u theksua nevoja për përpjekje të vazhdueshme për avancim të reformave në vijim, veçanërisht në forcimin e mbulimit të të dhënave, në përmirësimin e mëtejshëm të statistikave të IHD-ve dhe në përshpejtimin e kalimit nga fazat zhvillimore në zbatimin e plotë operacional të sistemeve dhe proceseve statistikore.

BQK-ja ritheksoi përkushtimin e saj për përafrim të mëtejshëm me Eurostat-in dhe standardet ndërkombëtare statistikore, duke përfshirë vazhdimin e punës drejt aderimit në Standardin Special të Shpërndarjes së të Dhënave (SDDS) të FMN-së, krahas modernizimit të vazhdueshëm të infrastrukturës statistikore.

Banka Qendrore shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe udhëzimin e vazhdueshëm nga Eurostat-i, duke rikonfirmuar përkushtimin për bashkëpunim të ngushtë me Eurostat-in dhe partnerët kombëtarë, përfshirë ASK-në, me qëllim arritjen e rezultateve konkrete në periudhën e ardhshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partitë më të mëdha në vend kanë publikuar listat e…