BQK-ja: Shkalla e rritjes ekonomike është luhatur rreth normës 3.5 për qind

13 gusht 2018 | 10:58

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka publikuar për herë të parë modelin makroekonometrik për ekonominë e Kosovës.

Ky material studimor është përgatitur gjatë periudhës 2016-2017 nga Departamenti i Analizave Ekonomike dhe Stabilitetit Financiar të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. Ndërkaq ka trajtuar një rezyme të rrjedhave ekonomike në vend për periudhën 2006-2015.

Sipas këtij studimi, ekonomia e Kosovës është përballur me sfidën e punësimit, rebalancit tregtar, procesin e privatizimit, ndërkaq është rimëkëmbur nga remitancat.

“Ekonomia e Kosovës është një ekonomi e vogël e hapur, e cila që prej periudhës së pasluftës (’99) është përballur me sfida të shumta, ndër të cilat veçojmë: ndërtimin e kapaciteteve institucionale; formalizmin e ekonomisë; adresimin e shkallës së lartë të papunësisë; investimet në infrastrukturë; dhe procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore”, është thënë në raportin e BQK-së, duke u shtuar se gjatë kësaj periudhe ekonomia e Kosovës ka shfaqur rritje ekonomike të qëndrueshme, e cila ka qenë e mbështetur kryesisht nga dërgesat e emigrantëve dhe donacionet e organizatave ndërkombëtare.

“Periudha 2006-2015, gjatë së cilës modeli KMM është i vlerësuar, përfaqëson një periudhë të karakterizuar nga disa ngjarje të rëndësishme, si: shpallja e pavarësisë, kriza ndërkombëtare financiare dhe ngërçet politike, duke e përballur ekonominë e Kosovës me sfida të ndryshme nga ato të periudhës së mëparshme”, thuhet në raportin e BQK-së. Sipas BQK-së, përkundër kësaj, rritja ekonomike reale ka qenë e qëndrueshme dhe është luhatur rreth normës 3.5 %.

“Rritja më e vogël u shënua në vitin 2014 (rreth 1.2 %) si rezultat i vonesave në krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve të qershorit 2014. Kontributi kryesor negativ në rritjen ekonomike të vitit 2014 ka ardhur prej kategorisë së investimeve publike dhe konsumit publik. Gjatë periudhës 2006-2015 konsumi privat është komponenti që ka shënuar kontributin pozitiv më të madh në rritjen reale të BPV-së, mesatarisht rreth 2.9 pikë përqindje. Investimet private gjithashtu kanë shënuar kontribut pozitiv me përjashtim të vitit 2012, kur shënuan kontribut të ndjeshëm negativ me rreth 4.5 pikë përqindje, kryesisht si rezultat i rënies së ndjeshme të investimeve të huaja direkte dhe ngadalësimit të kredive të reja për qëllime investimi. Kontributi i eksporteve neto ka qenë pozitiv vetëm në vitet 2012 dhe 2013, kur deficiti tregtar shënoi përmirësim për shkak të rënies së importeve dhe rritjes së eksporteve të shërbimeve. Megjithatë, gjatë gjithë periudhës së studimit deficiti tregtar i mallrave dhe shërbimeve, si përqindje e BPV-së, ka qenë i lartë duke u luhatur rreth vlerës 34 %. Ky raport i lartë i atribuohet bazës së ulët të eksporteve (veçanërisht ajo e mallrave) dhe varësisë së lartë të ekonomisë kosovare mbi mallrat e importuara. Ky deficit në bilancin tregtar, i cili ka shkaktuar edhe deficitin në llogarinë rrjedhëse të Bilancit të Pagesave në Kosovë, është reduktuar në masë të konsiderueshme nga flukset hyrëse të remitancave, transfertave zyrtare dhe investimeve të huaja direkte”, është theksuar në raportin e BQK-së.

Albulena S. MAVRAJ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rita Ora njihet për vokalin e mrekullueshëm dhe praninë në…