Brazil, arrin 1 milionë numri i rasteve me COVID-19

20 qershor 2020 | 10:17

Pandemia e koronavirusit duket sikur po i jep një “armëpushim” Evropës, dhe tashmë ka zgjedhur fushëbeteja në kontinente të tjerë.

Njëri prej tyre është Amerika e Jugut dhe veçanërisht Brazili. Sipas përllogaritjeve të John Hopkins University, vendi ka kaluar tashmë një milion të infektuarit nga koronavirusi dhe mund të shndërrohet, në disa javë, në vendin më të goditur në botë nga pandemia, duke kaluar në shtrirjen e infeksionit por edhe në viktimat Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dje vendi ka përjetuar një bilanc dramatik, me më shumë se 54 mijë raste të reja, pjesërisht rezultat i disa përllogaritjeve të gabuara në ditët e kaluara. Sipas autoriteteve mjekësore braziliane, numri efektiv mund të jetë deri në 10 herë më i madh, dhe jo më i ulët se 3 milion të infektuar.

Sipas projeksionit të Universitetit Mjekësor të Uashingtonit, Brazili do të kalojë bilancin e viktimave amerikane në fund të muajit korrik. Ndërkohë që në pjesët veriore të vendit virusi duket sikur ka ulur virulencën e tij, pjesa jugore, më e populluar dhe e varfër, mbetet në emergjencë të plotë.

Si paradoks, qytetet e mëdha si Rio de Janeiro po çlirojnë çdo ditë e më shumë masat shtrënguese, duke hapur restorante , qendra tregtare dhe ambiente të përbashkëta.

Polemika të mëdha ndërkohë vijnë nga menaxhimi i situatës nga presidenti Bolsonaro. Fillimisht skeptik për virulencën e koronavirusit, të cilësuar si “një grip i vogël“, presidenti me javë ka nënvlerësuar masat duke deklaruar madje teori origjinale si ajo që “brazilianët duhen studiuar, nuk na ndodh gjë nga viruset. Mund të shihen njerëz që hidhen në ujërat e zeza dhe asnjë nuk i ndodh”.

Nga ana tjetër Ministria e Shëndetësisë braziliane, në një kohë kur edhe FDA amerikane ka hequr lejen për trajtimin e COVID-19 me hidroksiklorikinë, e ka shtrirë përdorimin e tij edhe te subjekte si gratë shtatzëna dhe fëmijët. Një menaxhim i kritikueshëm, ku opinioni i shumë ekspertëve lokalë është mënjanuar, dhe që rrezikon të përkeqësojë situatën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nesër sytë e politikës amerikane do t’i drejtohen qytetit të…