Brenda “anijeve fantazmë” të Detit Baltik

12 shkurt 2023 | 19:31

Duke u zhytur në ujërat e akullta që rrethojnë Skandinavinë, zhytësit Jonas Dahm dhe Carl Douglas kërkojnë për anije të humbura prej kohësh, që i quajnë “anijet fantazma” të Detit Baltik.

Dahm dhe Douglas janë dashamirës të historisë dhe i kanë kushtuar rreth 25 vite të jetës së tyre kërkimit të rrënojave nën ujë. Shumë prej këtyre anijeve që ata arrijnë të gjejnë, kanë qëndruar në pritje për shekuj, ndaj dhe gjendja e tyre nuk është aq mirë, por çuditërisht disa janë ruajtur në gjendje jashtëzakonsht të mirë. Mendohet se për këtë fakt ndikojnë temperaturat shumtë të ftohta të ujit. Gjatë zhytjeve, miqtë kanë pasur mundësinë të fotografojnë mobiljet e paprekura të anijeve, gdhendjet e detajuara të mureve të brendshme, si dhe objekte të ndryshme të mbetura aty.

Zhytësit profesionistë, përpara çdo ekspedite kalojnë orë të tëra duke hulumtuar mbi libra dhe historitë e rrënojave. Frymëzuar nga këto kërkime, vendosën të publikojnë një botim me fotografi të përzgjedhura. Libri i titulluar “Anijet fantazmë të Detit Baltik”, ndër të tjera, përshkruan se Deti Baltik ka qenë një qendër kryesore e aktivitetit detar për shekuj me radhë, duke filluar nga tregtia detare e deri te Luftërat Botërore. “Dhjetëra mijëra anije të mbytura e të paprekura nga çdo epokë gjenden të zhytura në thellësitë ujore të Baltikut”, shkruhet në libër.

Fotografi nën ujë

Në imazhet e shkrepura nga zhytësit, detajet janë të ndriçuara dhe shumë të qarta, por ruajnë nuancën unike të detit dhe kjo i bën të veçanta. Autorët thonë se kanë ditur të përdorin errësirën e thellësive në avantazhin e tyre. “Balancimi i dritës natyrore me atë artificiale është i gjithë sekreti, por sigurisht edhe këndi i duhur”, shprehen ata.

Përveç dritës, ka edhe sfida të tjera që lidhen me fotografimin e rrënojave. Një nga gjërat më të vështira është i ftohti, por edhe thellësia. Dahm dhe Douglas sqarojnë se në libër paraqiten fotografi që janë shkrepur në thellësi deri në 110 metra nën det.

Histori të panjohura

Douglas dhe Dahm planifikojnë udhëtime në vende të veçanta për të parë anije të rralla. Zakonisht, ata marrin këshilla nga peshkatarët vendas ose ndjekin gjurmët e zhytësve të tjerë. Por ndonjëherë një shenjë që shfaqet rastësisht, mund t’i çojë drejt një zbulimi të madh dhe anijeve anonime me histori të panjohura. Për ta, një nga gjetjet më unike ishte anije që e pagëzuan si “Shkatërrimi i porcelanit”, pasi në të u gjet një numër i madh objektesh prej porcelani, violina dhe ora luksoze. “Nuk e dimë emrin, pse u fundos apo ku po shkonte. Gjithçka që dimë është se anija kishte një ngarkesë të vlefshme dhe nuk arriti në destinacionin e saj”, thotë Dahm.

Zhytësit Dahm dhe Douglas janë gjithmonë të kujdesshëm që të mos dëmtojnë rrënojat gjatë eksplorimit të tyre. Përveç anijeve, janë të pasionuar edhe pas ruajtjes së detit dhe habitateve ujore, për këtë arsye në librin e tyre fotografitë janë përdorur edhe si një thirrje ndërgjegjësuese për botën nënujore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës përgjithmonë do të mbetet nga…