Britania: Irani është përgjegjës për sulmet në rafineritë saudite të naftës

23 shtator 2019 | 10:58

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë se Britania konsideron që Irani është përgjegjës për sulmin e 14 shtatorit në rafineritë e naftës në Arabinë Saudite, dhe do të shqyrtojë mundësinë për pjesëmarrje në përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për të rritur kapacitetet mbrojtëse të Mbretërisë Saudite.

Mirëpo Johnsoni, i cili ka dhënë këto deklarata për gazetarët teksa është nisur në Asamblenë e Përgjithshmë të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ka thënë edhe se Britania do të punojë me aleatët për të ulur tensionet në Lindje të Mesme.

Kryeministri konservator ka thënë se Britania “ia atribuon përgjegjësinë me shkallë të lartë të mundësisë, Iranit” për sulmet me dronë dhe raketa në Arabinë Saudite.

Tensionet në Lindje të Mesme janë përshkallëzuar pas sulmit, për të cilin Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite po ashtu kanë mbajtur përgjegjës Iranin, më pas për shkak të luftës së vazhdueshme në Jemen dhe Siri, si dhe pas përpjekjeve të drejtuara nga SHBA-ja për të siguruar lëvizje të lirë në Ngushticën e Hormuzit, pas kapjes së disa anijeve komerciale nga ana e Iranit.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka autorizuar më 20 shtator rritje të forcave amerikane në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, pas sulmit të 14 shtatorit.

I pyetur nëse shteti i tij do t’i bashkohet kësaj nisme, Johnson ka thënë se “do të shqyrtojë se cila rrugë është më e duhur”.

Irani ka mohuar përfshirjen në këtë sulm dhe ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se secili sulm do të rezultojë me luftë të shfrytëzimit të të gjitha kapaciteteve.

Në fjalimin e 22 shtatorit, presidenti iranian, Hasan Rohani, u ka kërkuar fuqive të huaja “të qëndrojnë larg” Gjirit Persik, meqë sipas tij prezenca e tyre po e kthen këtë rajon “në zonë të garës me armë”.

Javën e kaluar, Uashingtoni ka vënë sanksion të reja ndaj Iranit, duke përfshirë Bankën Qendrore dhe fondin e pasurisë.

Komandati i lartë i Gardës Revolucionare Islamike ka thënë më 21 shtator se forcat e tij kanë “kryer të gjitha stërvitjet për luftë dhe janë të gatshme për secilin skenar”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ligjvënësit  izraelito-arabë kanë thënë se ish-shefi ushtarak, Benny Gantz duhet…