Britania jep leje për përdorimin e vaksinës “AstraZeneca”

30 dhjetor 2020 | 08:38

Vaksina e zhvilluar nga kompania “AstraZeneca” në bashkëpunim me shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit është miratuar për përdorim në Britaninë e Madhe.

Ky vendim do të sjellë zgjerim masiv të fushatës së vaksinimit në Britaninë e Bashkuar, e cila ditët e fundit po përballet me një variant të ri të koronavirusit, i cili mendohet se është deri 70 për qind më ngjitës se variantet e mëparshme.

Britania e Madhe tashmë ka porositur 100 milionë doza të vaksinës së Oksfordit, që mjaftojnë për vaksinimin e 50 milionë banorëve.

Kjo vaksinë është zhvilluar në pjesën e parë të vitit dhe është testuar në vullnetarin e parë në muajin prill. Prej asaj kohe janë testuar mijëra persona.

Vaksina e Oksfordit është vaksina e dytë që është miratuar për përdorim në Britaninë e Madhe, pas vaksinës së kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech”.

Mbi 600 000 njerëz janë vaksinuar deri më tani në Britaninë e Madhe. Vaksina e “AstraZeneca”-s pritet ta rrisë shumë këtë numër, sepse është më e lirë dhe më e lehtë për t’u prodhuar në sasi të madhe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-mjeku i Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës, Liri Loshi, ka shkruar…