Britania planifikon miliarda investime në mbrojtje

30 qershor 2026 | 11:30

Britania e Madhe ka përgatitur një plan të ri, i cili parasheh investime miliardëshe në sektorin e mbrojtjes.

Plani i investimeve, që pritet të publikohet së shpejti, vjen pas rishikimit të gjerë strategjik të mbrojtjes, të publikuar në qershor të vitit të kaluar.

Ai parasheh miliarda funte shpenzime shtesë për municione, avionë luftarakë të gjeneratës së ardhshme, dronë dhe nëndetëse të reja sulmuese.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ky do të jetë investimi më i madh ndonjëherë në dronë për forcat e armatosura britanike, me më shumë se 5 miliardë funte gjatë katër viteve të ardhshme.

Siç raporton BBC, ushtria do të pajiset me një gamë dronësh për mbikëqyrje, zbulim dhe sulm, në vend të shkatërruesve të rinj të tipit 83 që pritej t’i merrte.

Po ashtu, ushtria do të pajiset me automjete tokësore pa pilot, të ngjashme me ato që janë përdorur me sukses në vijën e frontit në Ukrainë, si dhe me avionë luftarakë autonomë që do të operojnë së bashku me avionët me pilot.

Për planin e investimeve dhe sfidat e luftës moderne të shekullit XXI ka folur edhe kryeministri në largim, Keir Starmer.

“Plani i ri i investimeve në mbrojtje do t’u japë forcave të armatosura britanike aftësitë e përparuara që u nevojiten për të penguar kërcënimet në zhvillim dhe për ta mbajtur popullin britanik të sigurt”, ka thënë Starmer.

Sipas tij, investimi i ri do të forcojë kapacitetet e forcave britanike në tokë, në det dhe në ajër.

Ndërkohë, ish-sekretari i Mbrojtjes, John Healey, i cili dha dorëheqje në fillim të këtij muaji, në një letër kishte paralajmëruar se niveli i propozuar i shpenzimeve ushtarake është më i ulët se ai që nevojitet për mbrojtjen e Britanisë së Madhe.

Healey kishte shprehur shqetësimin se zgjidhja financiare për forcat e armatosura ishte “e mbingarkuar”, në një kohë kur, sipas tij, presioni operacional dhe nevoja për të përshpejtuar gatishmërinë luftarake janë më të mëdha në dy vitet e para.

Debati për rritjen e shpenzimeve në mbrojtje vazhdon në Britaninë e Madhe, ndërsa vendimet konkrete pritet të merren në ditët në vijim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Thirrjet për masa më të forta mbrojtëse nga temperaturat ekstreme…