Bruqi: Gara për mbijetesë, e vështirë, Flamurtari mbetet në Superligë

29 janar 2019 | 10:39

Mesfushori Agron Bruqi ka parashikuar një luftë të “egër” për mbijetesë në Superligë, kurse premton se futbollistët e Flamurtarit do ta japin maksimumin që skuadra kuqezi të mos rrezikohet nga rënia në Ligën e Parë.

Futbollisti i Flamurtarit, Agron Bruqi, ka thënë për “Epokën e re” se skuadra kuqezi edhe në edicionin e ardhshëm 2019/2020 do të bëjë gara në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Flamurtari e mbylli sezonin vjeshtor në pozitën e shtatë me 25 pikë të grumbulluara.

“Jemi duke punuar maksimalisht dhe besoj se Flamurtari edhe në edicionin e ardhshëm do të garojë në Superligë. Sa i përket sezonit vjeshtor, kemi mundur të marrim më shumë pikë dhe të jemi më lart në tabelë, por lëndimi i disa prej lojtarëve kryesorë ka ndikuar në rezultate, por edhe në disa ndeshje kemi qenë të pafat”, ka thënë Bruqi, i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e KEK-ut, kurse me skuadrën e Flamurtarit deri tash ka realizuar dy gola dhe ka kontratë deri në përfundim të kampionatit e kryeqytetasit. “Jam i kënaqur me atë që kam treguar personalisht në vjeshtë pasi, përveç golave të shënuara, kam luajtur në të gjitha ndeshjet. Po punoj që edhe në pranverë të jam në formën më të mirë dhe ta ndihmoj skuadrën drejt arritjes së objektivit”, ka deklaruar ai.

Fotografia e Agron Bruqi

Për titull, përveç Prishtinës dhe Feronikelit, mund të luftojë edhe skuadra e Llapit, kurse gara për mbijetesë do të jetë shumë interesante për faktin se diferenca e pikëve në mes të shumë skuadrave është e vogël. “Gara për mbijetesë do të jetë shumë interesante, pasi dallimi nëpër pozita është mjaft i vogël dhe mendoj se nga vendi i gjashtë e deri në të fundit do të luftojnë për mbijetesë dhe vështirë do të jepet tash për tash ndonjë parashikim. Ne do ta japim maksimumin që Flamurtari mos të rrezikohet nga rënia”, ka deklaruar Bruqi.

Skuadra e Flamurtarit vitin e kaluar ishte në garë për mbijetesë, derisa këtë kampionat e filloi në mënyrën më të mirë duke e mbajtur pozitën e parë për disa xhiro me radhë. Në shtatëmbëdhjetë ndeshjet e zhvilluara skuadra e drejtuar nga Arsim Thaqi ka regjistruar gjashtë fitore, katër barazime dhe shtatë humbje.

/Veton ZYMBERI/  

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Ramush Haradinaj ka dhënë një intervistë për televizionin Z1…