Bullgaria mban zgjedhjet e pesta në dy vjet

02 shkurt 2023 | 15:39

Presidenti bullgar, Rumen Radev, ka nënshkruar një dekret për shpërndarjen e parlamentit dhe caktimin e 2 prillit si datë për zgjedhjet e parakohshme , të pestat në vend në dy vjet pasi tri tentativa për formimin e Qeverisë së Bullgarisë kanë dështuar.

Të enjten, Radev gjithashtu ka riemëruar Galab Donev, kryeministër të përkohshëm.

Përbërja e qeverisë së përkohshme ka mbetur pothuajse e pandryshuar, me përjashtim të ministrit në largim të kulturës, Velislav Minekov, i cili është zëvendësuar me dirigjentin, Najden Todorov.

Radev ka thënë se zgjedhjet e parakohshme ishin të domosdoshme pasi Partia Socialiste e Bullgarisë (BSP) deklaroi më 24 janar se nuk kishte arritur të formonte qeverinë dhe e kishte kthyer mandatin te presidenti.

Paraprakisht, dy grupet më të forta në parlamentin bullgar – partia e qendrës së djathtë, Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë (GERB) dhe partia reformiste Ne Vazhdojmë Ndryshimin (PP), të cilat morën vendin e parë, respektivisht të dytë në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar, kishin dështuar në dy tentativa të gjenin mbështetje për ta formuar Qeverinë e Bullgarisë, por dështuan.

Presidenti më pas, ia dha BSP-së të drejtën për ta përmbushur mandatin, por edhe kjo parti dështoi. Kështu, vendi do të shkojë përsëri në zgjedhje.

Bullgaria, me një popullsi prej afër 7 milionë banorësh, është në krizë politike që nga viti 2020, kur vendi u përball me protesta mbarëkombëtare pas zemërimit të publikut të akumuluar për shumë vite për shkak të korrupsionit.

Pjesa më e madhe e zemërimit ishte lidhur me liderin shumëvjeçar Boyko Borisov, dhe partisë së tij, GERB, raporton “Rel”.

Qeveria e fundit, e udhëhequr nga Kiril Petkov, ka kolapsuar në qershor vetëm gjashtë muaj pasi e kishte marrë mandatin, pasi njëri prej partnerëve pati dalë nga koalicioni qeverisës.

Petkovi, që udhëheq partinë “Ne Vazhdojmë Ndryshimin”, është përballur me sfida në përmbushjen e zotimeve të tij për të çrrënjosur korrupsionin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dogana e Kosovws ka dal me sqarim lidhur me terminalin…