Bulliqi informon qytetarët për projektet e realizuara në pjesën e parë të këtij viti

24 qershor 2021 | 16:06

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka mbajtur takim publik me qytetarë, të cilët i ka informuar për realizimin e projekteve dhe aktiviteteve tjera të parapara në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021, projektet dhe aktivitetet që janë në proces, si dhe ato të planifikuara për realizim.

Bulliqi ka thënë se qëllimi i këtij takimi është pasqyrimi i ecurisë së projekteve të parapara për realizim gjatë këtij viti, si dhe t’i marrim vërejtjet, sugjerimet dhe idetë për projekte në lokalitete të caktuara.

Ai ka pohuar se po punojnë me një buxhet të planifikuar nga qeverisja paraprake dhe bazuar në të, po realizojnë projektet e parapara në kuadër të këtij buxheti.

Bulliqi ka prezantuar projektet dhe aktivitetet e realizuara gjatë këtij gjashtëmujori për secilën drejtori.

“Në kuadër të drejtorisë së Administratës kemi organizuar shërbime ndaj qytetarëve gjatë komplet orarit të punës pa pauzë, kemi filluar publikimin e shpenzimeve, është instaluar sistemi për organizimin e pritjes për marrjen e shërbimeve, kemi krijuar programin ‘one stop shop’ si dhe kemi inkuadruar shërbimet e postës brenda komunës”, ka thënë kryetari Bulliqi

Duke iu referuar aktiviteteve të drejtorisë për Buxhet dhe Financa, ai ka theksuar se është rritur inkasimi i të hyrave vetanake dhe janë futur në listë të tatimit në pronë shumë ekonomi familjarë të cilat ishin të paregjistruara.

Nga drejtoria e Arsimit, tha ai se po investohet në renovimin e disa objekteve shkollore dhe në ndërtimin e infrastrukturës sportive.

“Në Balloc objekti i shkollës po shkon drejt përfundimit, në disa shkolla po realizohen projektet e efiçencës së energjisë, po vazhdohet me ndërtimin e fushave sportive dhe së shpejti fillon implementimi i projektit për çerdhën e dytë të qytetit. Gjatë kësaj kohe janë shpërndarë edhe bursa për nxënës dhe studentë”, ka treguar Bulliqi

Ndërsa në fushën e Kulturës, rinisë dhe sportit, Bulliqi ka përmendur investimet në zgjerimin e hapësirave të bibliotekës së qytetit, renovimin e palestrës “Hakif Zejnullahu” renovimin dhe krijimin e infrastrukturës ligjore për Teatrin “Avdush Hasani”

Në sektorin e shëndetësisë, ai ka thënë se ka qenë një situatë shumë e rënduar, ndërsa qysh në fillim janë ndërmarrë masa për zgjerimin e hapësirave për shërbim ndaj pacientëve dhe ndarja e shërbimeve për pacientet me Covid-19, funksionalizimi i shërbimit të patronazhit, sallës së infuzioneve, repartit të stomatologjisë dhe mamografisë.

Po ashtu, Bulliqi ka treguar se ka filluar puna në dy ndërrime në Orllan dhe Kërpimeh.
Krahas avancimit të shërbimeve, kryetari Bulliqi ka thënë se investime po bëhen edhe në rregullimin e hapësirave të jashtme të QKMF-së.

Në infrastrukturë, ai tha se po vazhdon puna me intensitet në fazën e dytë të ndërtimit të “Bulevardit të Qytetit” ndërsa po punohet edhe në projekte tjera të kësaj fushë.

Nga Drejtoria e Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik, kryetari Bulliqi ka thënë se ka vazhduar projekti për mbështetje të bizneseve me pajisje pune nga bashkëpunimi me organizatën Help, ndërsa, programe të tilla tha se po zhvillohen edhe nga partneriteti me AZHR-në dhe institucione tjera.

Po ashtu, nga kjo drejtori është nënshkruar kontrata me kompaninë për ta bërë studimin e fizibilitetit për projektin e parkingut nëntokësorë.

Në fushën e bujqësisë, kryetari Bulliqi ka thënë se ka vështirësi, sidomos në kontratat për furnizim me serra dhe mbjelljen e drunjve dekorativë, ku në të dy rastet kompanitë pas nënshkrimit të kontratave, kanë dështuar në përmbushjen e obligimeve të përcaktuara dhe janë tërhequr, për këto kompani ai u zotua se do të futen në listën e zezë, ndërsa për këto projekte, komuna do të fillojë procedura të reja.

Në fushën e inspeksionit, Bulliqi ka thënë se po zhvillohen aktivitetet e rregullta, siç janë respektimi i masave anti-Covid, lirimi i hapësirave publike, prerja e pyjeve dhe aktivitetet tjera të kësaj natyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në…