Buxheti për arsim, i pamjaftueshëm

17 dhjetor 2017 | 15:15

Buxheti i ndarë për sektorin e arsimit në Kosovë për vitin 2018, konsiderohet të jetë i pamjaftueshëm për të arritur reforma të cilat do të ndikonin në rritjen e cilësisë në arsim.

Edhe pse arsimi në Kosovë është shpallur interes nacional, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, kanë theksuar se buxheti për këtë sektor duhet të jetë më i madh se sa është planifikuar. Buxheti për vitin 2018, është planifikuar të jetë rreth 54 milionë euro.

Kjo ministri e pranon se buxheti i planifikuar për sektorin e arsimit në Kosovë është i pamjaftueshëm. Drejtori i Departamentit të Financave në Ministrinë e Arsimit, Murtez Zekolli, ka theksuar për “Radio Kosovën”, se për sektorin e arsimit është planifikuar të ndahen rreth 54 milionë euro, që i bie të ketë një rritje krahasuar me vitin e kaluar prej 16 për qind.

Ai ka thënë se ky buxhet i mbulon vetëm politikat bazë të arsimit në Kosovë, por jo të gjitha planet që kanë të bëjnë me reformat për një arsim më cilësor. “Ky buxhet nuk i mbulon të gjitha nevojat. Meqenëse ne marrim edhe donacione nga donatorët, kemi mbështetje, por e ardhmja është e pasigurt, sepse askush nuk mund ta dijë së sa donatorë mund të shprehin interesin dhe gatishmërinë për të mbështetur buxhetimin e arsimit në Kosovë” ka thënë Zekolli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njëri prej trajnerëve më të mirë në Kosovë, Bylbyl Sokolit…