Bytyqi: Projektligji për Inovacion dhe Transfer të Dijes mundëson zhvillimin e të rinjve

03 prill 2018 | 12:41

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, të martën ka mbajtur dëgjim publik lidhur me Projektligjin për Inovacion Shkencor dhe Transfer të Dijes dhe Teknologjisë.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se debate të tilla i shërbejnë ligjit dhe e bëjnë atë më funksional.

“Konsideroj që tani jemi në një fazë të një standardi të ri sepse u hapet mundësi të rinjve që të zhvillohen. Sot po diskutohet shumë se si duhet t’i qasemi inovacionit. Kemi një varg institucionesh që do të jenë bartës të projektligjit. Gjithashtu është një lajm i mirë se në fillim të këtij muaji do të jemi anëtarë të programit të Bashkëpunimit Evropian në Shkencë dhe Teknologji (COST),që ka të bëjë kryesisht me çështje të inovacionit. Po ashtu këto debate e bëjnë ligjin më funksional dhe më efektiv”, ka thënë ai.

Kurse, Vanesa Rexhepi, këshilltare në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, ka thënë se projektligji ndihmon në zhvillimin e ideve inovative te të rinjtë.

“Ministria e Inovacionit është krijuar në bazë të nevojës. Mendoj se ky projektligj është i qartë për Ministrinë e Inovacionit dhe Ministrinë e Arsimit. Ky projektligj është i mirëseardhur për ndërtimin e objekteve që mund të ndihmojnë në zhvillimine ideve të të rinjve”, ka thënë ajo.

Kryetari i këtij komisioni, Ismajl Kurteshi ka thënë se ky dëgjim publik krijon mundësi për shqyrtim të ligjit.

“Ky projektligj ka ardhur në komision para dy javësh. Ky dëgjim publik i hap rrugë komisionit të shqyrtojë projektligjin nen për nen”, ka thënë  ai.

Ndërsa, bashkëthemeluesi i kompanisë “Formon” dhe përfaqësues i Innovation Centre Kosovo (ICK), Arianit Zabërgja,  ka thënë se projektligji është bërë në kohë të qëlluar.

“Ky projektligj duhet të koncentrohet në vështirësitë e bizneseve për të parë se çfarë kemi kaluar deri më tani. Ne si kompani kemi krijuar 3D printera, por gjatë kësaj faze kemi pasur probleme në krijimin e zhvillimit të produktit, po ashtu problem tjetër është edhe prodhimi i prototipit”, ka thënë Zabërgja.

Arbisa SHEFKIU /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësues të kompanisë “Ekobase Global” janë pritur në një takim…