Bytyqi raporton para deputetëve për tekstet e reja shkollore

25 qershor 2019 | 15:55

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka raportuar të martën në Komisionin parlamentar për arsim për procesin e zhvilluar në lidhje me tekstet e reja shkollore.

Bytyqi ka thënë se kanë qenë të pritshme vështirësitë në këtë proces, sepse sipas tij ky është projekti më i madh që është realizuar këto vite në MAShT. Ai ka theksuar se janë marrë të gjitha masat që procesi të shkojë si duhet, duke i respektuar të gjitha aktet ligjore në fuqi.

Ministri Bytyqi ka përmendur edhe Ligjin e ri për tekste shkollore, duke thënë se ky ligj nuk ka kaluar ende për arsye buxhetore, por ka theksuar se kjo nuk e ka penguar fare këtë proces.

Duke folur për nevojën për tekste të reja shkollore, ministri Bytyqi ka përmendur mospërputhjen e teksteve me kurrikulën e re, si dhe gabime të shumta të cilat kanë pasur tekstet e vjetra.

Më tutje, ministri Bytyqi ka folur për gjithë mbarëvajtjen dhe punën që është bërë që nga fillimi, si dhe për shpenzimet që janë bërë gjatë gjithë procesit, e që janë rreth 76 mijë euro në tërësi.

Sa i përket cilësisë së teksteve, ministri Bytyqi ka thënë se përgjegjësinë e vlerësimit të tekstit e mbajnë recensentët, ndërsa MAShT-i ka obligim të kujdeset që procesi të shkojë deri në fund si duhet.

Ministri Bytyqi ka përmendur edhe vendimin e KEPShT-it që në listën përfundimtare të teksteve fituese të futen edhe tekstet që janë poentuar mbi 2.75, e që në listën preliminare kanë qenë vetëm ato që janë poentuar mbi 3.

Megjithatë, ministri Bytyqi ka thënë se MAShT-i ka vendosur që t’i pilotojë të gjitha tekstet shkollore dhe nëse vërehet se një tekst nuk është i përdorshëm për mësimdhënie, do të tërhiqet dhe recensentët do të përgjigjen sipas obligimeve të marra me kontratë.

Gjatë këtij takimi, është diskutuar edhe për nevojën e riorganizimit të sistemit arsimor. Me këtë rast, ministri Bytyqi ka përgëzuar kryetarin e Kamenicës, Qëndron Kastrati që ka filluar me një projekt të tillë, duke thënë se i kanë ofruar mbështetjen e MAShT-it.

Bytyqi ka theksuar se ky riorganizim është i nevojshëm të bëhet në tërë Kosovën dhe tashmë iu është kërkuar zyrtarisht komunave të dërgojnë informacione të sakta rreth objekteve shkollore, në mënyrë që të shikohen edhe mundësitë e adoptimit në institucione parashkollore aty ku ka mundësi.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka takuar sot ambasadorin e…