Bytyqi: Shkollat profesionale, prioritet i Qeverisë

11 mars 2018 | 16:47

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqyri Bytyqi, ka bërë me dije se shkollat profesionale janë prioritet i tij dhe Qeverisë.

Këto komente Bytyqi i ka bërë gjatë vizitës në shkollën profesionale “11 Marsi” në Prizren me rastin e 57-vjetorit të themelimit të saj.

“Shkolla profesionale është angazhimi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT). Jo rastësisht në programin qeverisës kemi deklaruar që shkollat profesionale do të jenë prioritet i qeverisjes sonë”, ka thënë Bytyqi.

Ai ka thënë se Kosova ka nxënës të mrekullueshëm, por sipas tij, duhet të ketë një angazhim më të madh të mësimdhënësve.

“Sa herë që kemi ardhur në shkollën e mesme të lartë ‘11 Marsi’ në Prizren jemi befasuar me gjithë atë çka kemi parë. Kemi qenë edhe herët e tjera dhe vazhdimisht kemi parë ndryshime në secilin prej sektorëve”, ka thënë ai.

Ndërsa Skënder Susuri, drejtori i Arsimit në Komunën e Prizrenit, para nxënësve ka paraqitur prioritetet e tij.

“Programi jonë bazohet në tri shtylla kryesore. Shtylla e parë është siguria e nxënësve. Ne angazhohemi që shkollat tona të jenë të sigurta dhe gjithëpërfshirëse. Shtylla e dytë është vendimmarrje e përbashkët. Nuk do të ketë asnjë vendimmarrje në komunën e Prizrenit e cila nuk do ta ketë mbështetjen e komunitetit të nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve. Angazhimi ynë i tretë do të jetë cilësia në arsim”, është shprehur Susuri.
Shkolla e mesme e lartë profesionale “11 Marsi” ka gjithsej 1 mijë e 500 nxënës në profile të ndryshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (DShMS) në…