Cana: ‘Arena Kombëtare’ është imazh krenarie për gjithë Ballkanin

27 gusht 2021 | 16:40

Lorik Cana është ambasador i UEFA-s për finalen e madhe të Ligës së Konferencës. Gara e tretë më e madhe evropiane për klube do të nisë për herë të parë këtë edicion 2021/22, ku finalja e madhe do të luhet në stadiumin ‘Arena Kombëtare’ në Tiranë.

Ish-kapiteni legjendar i Shqipërisë, Lorik Cana, ka hedhur shortin në Ligën e Konferencës, ku tanimë 32 skuadrat pjesëmarrëse kanë mësuar kundërshtarët e tyre. Para hedhjes së shortit, Cana ka folur për karrierën e tij, duke thënë se është krenar që ka arritur të bëjë karrierë të tillë. Fillimisht prezantuesi ka thënë se është kënaqësi që ta ketë aty, duke e pyetur rreth karrierës së tij pasi ka luajtur në shtete si Franca, Anglia, Italia e Turqia.

“Nëse kthehesh dhe shikon mbrapa, shumë prej fëmijëve që luajnë futboll duan të arrijnë nivelin më të lartë. Jam shumë krenar për atë që kam arritur në karrierën time. Të luash me PSG-në, pastaj me skuadrën që kam bërë gjithmonë tifo që nga fëmijëria, Olimpique Marseillen, Galatasarayn e Lazion, është një arritje e madhe jo si futbollist, por edhe si person. Udhëtimi im si futbollist është krenaria ime më e madhe”, ka thënë Cana.

Cana është pyetur edhe për stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë, ku do të luhet finalja e madhe e Ligës së Konferencës. “Stadiumi ‘Arena Kombëtare’ është të themi një imazh krenarie për Ballkanin si imazh i shtetit dhe qytetit. Stadiumi është mjaft i mirë dhe i ri, shumë modern dhe një nga stadiumet më të reja në Evropë”, ka shtuar Cana. “‘Arena Kombëtare’ është shumë modern dhe shumë aktiv, ndodhet në mes të qytetit. Jam i sigurt që do të jemi pritës të shkëlqyer dhe njerëzit do të udhëtojnë për ta parë ndeshjen finale në mes të qytetit dhe do të shijojnë vendin tonë të bukur, Shqipërinë”, ka deklaruar Cana.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas ndarjes nga modelja Oriola Marashi, Eros Grezda është aluduar…