
Cavani akuzohet për sjellje raciste
Edinson Cavani është akuzuar zyrtarisht nga FA (Federata Angleze) për sjellje raciste për një term të përdorur në profilin e tij në “Instagram”.
Uruguaiani, tashmë lojtar i Manchester Unitedit, shkroi “gracias negrito!”, në përgjigjen që i dha një fansi në një histori në “Instagram”, pastaj e fshiu shpejt komentin. Federata javët e fundit ka kryer hetimet e veta mbi rastin dhe më pas ngriti zyrtarisht akuzën.
Cavani tani do të ketë kohë deri në 4 janar për ta paraqitur mbrojtjen e tij para organeve të Federatës. Lojtari, i mbështetur nga klubi i tij, siguroi se ishte një term dashamirës dhe se në Amerikën e Jugut nuk ka një kuptim negativ. “Jam plotësisht kundër racizmit dhe e fshiva postimin shumë shpejt, sapo m’u shpjegua se mund të interpretohet ndryshe. Unë sinqerisht kërkoj falje për këtë”, ka thënë Cavani.