Dhjetë vite nga ”Pranvera Arabe”, ku një 26-vjeçar u bë simbol i një revolte

17 dhjetor 2020 | 17:47

Kanë kaluar dhjetë vite që kur një tregtar ambulant i vuri flakën vetes në shenjë proteste për regjimin represiv, korrupsionin dhe koston e lartë të jetesës në Tunizi.

Ishte 17 dhjetor i vitit 2010 kur tregtari i fruta-perimeve Mohamed Bouazizi, 26-vjeç, protestoi në mënyrë rrëqethëse, duke i vënë flakën vetes pasi autoritetet lokale i kishin sekuestruar për të disatën herë produktet që ai shiste.

Kjo frymëzoi qindra e mijëra njerëz të dilnin rrugëve për një revoltë që nisi atë çka më pas u njoh si “pranvera arabe”, u quajt kështu pasi shumë shpejt protestat zunë edhe vende të tjera si Libia, Egjipti, Jemeni dhe Siria.

Presidenti Zine El Abidine Ben Ali, i cili kishte 23 vite në pushtet, u largua nga vendi duke gjetur strehë në Arabinë Saudite, ndërsa Bouazizi ndërroi jetë më 4 janar 2011. Dhjetë vite më pas Tunizia mbetet në vështirësi ekonomike, pavarësisht se sistemi dhe mënyra e drejtimit të vendit ka ndryshuar.

Tunizia mbetet i vetmi vend që arriti të shmangë përshkallëzimin në luftë civile nga protestat e pranverës arabe. Vende si Siria, apo Libia përfunduan në luftëra të përgjakshme që nxitën largimin e miliona vetëve si refugjatë jashtë shtetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
18.12.2020 Punime të domosdoshme për siguri te sistemit Prishtinë 1.…