Çdo dëmtim i centralit atomik është “vetëvrasje”

19 gusht 2022 | 09:02

Goditjet në territorin e centralit atomik më të madh në Evropë, Saporishja, ishin tema kryesore në samitin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Guterres, presidentit turk Erdogan dhe atij ukrainas Zelensky në Lviv.

Si sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ashtu edhe presidenti Erdgan kanë paralajmëruar në një takim me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, të enjten, një katastrofë atomare për shkak të goditjeve të shpeshta në territorin e centralit atomik Saporishja. “Ne jemi të shqetësuar. Ne nuk duam një Çernobil të dytë”, ka thënë Erdogan pas takimit me presidentin Zelensky në qytetin perëndimor ukrainas, Lviv. Erdogan iu referua me këtë katastrofës atomike në vitin 1986 në Ukrainë. Goditjet e përsëritura në Saporishja në jug të Ukrainës, ku Ukraina dhe Rusia fajësojnë njëra-tjetrën, kanë ndezur frikën e një incidenti atomik me pasoja të tmerrshme.

Guterres kërkon çmilitarizimin e centralit

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u shpreh “shumë i shqetësuar” për situatën në centralin atomik më të madh të Evropës. Ai kërkoi çmilitarizimin e centralit. Ky central nuk duhet të përdoret në kuadër të operacioneve ushtarake, tha Guterres. “Në vend të kësaj është e nevojshme një ujdi, për ta rikthyer Saporishjan në një infrastrukturë të pastër civile dhe të sigurohet siguria e rajonit. Çdo dëmtim i mundshëm i centralit është ‘vetëvrasje’”.

Presidenti Zelensky ka rënë në ujdi me Guterresin për hollësitë e dërgimit të inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, IAEA në Vjenë, për ta inspektuar gjendjen në Saporishja. E paqartë është nëse Kremlini do t’i pranojë kushtet e propozuara. Rusia ka refuzuar çmilitarizimin e zonës, sepse në këtë mënyrë ky central bëhet i cënueshëm ndaj sulmeve, sipas Ministrisë së Jashtme në Moskë.

Presidenti turk Erdogan bëri me dije se Turqia do t’i vazhdojë “përpjekjet për zgjidhjen” e konfliktit. Turqia qëndron në “krah të miqve ukrainas”, theksoi ai. Erdogani ka marrë vetë një rol ndërmjetësues në konfliktin e Ukrainës. Qeveria turke së bashku me OKB-në ia dolën të arrijnë një marrëveshje në korrik për lejimin e eksporteve të drithërave nga portet ukrainase./DW/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çmimi i karburantit në Zvicër mbetet i lartë në krahasim…