Çekia nuk ndryshon qëndrimin ndaj pavarësisë së Kosovës

11 tetor 14:27

Zyrtarët më të lartë kushtetues të Çekisë, refuzuan të enjten mbrëma propozimin e presidentit Millosh Zeman për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Presidenti çek pati deklaruar më 11 shtator në Beograd se do të diskutojë me ekspertët kushtetues të vendit të tij, mundësinë e tërheqjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës, një veprim që nuk përkon me postin kryesisht ceremonial të tij.

Ai e shtroi këtë çështje në një takim të zyrtarëve më të lartë kushtetues në mesin e të cilëve janë presidenti, kryeministri, kryetare dhomave të parlamentit, ministri i jashtëm, ai i brendshëm dhe i mbrojtjes.

Ministri i Jashtëm çek, Tomáš Petříček, ka thënë se ishte përfundim i takimit që qëndrimi i Republikës Çeke kundrejt Kosovës, nuk ka ndryshuar.

Deklaratat e bëra në Beograd nga presidenti 74-vjeçar, që është i njohur për qëndrime kundërthënëse, kishin nxitur reagime në Çeki, ku idetë e tilla ishin cilësuar joreale.

Çekia e ka njohur Kosovën në maj të vitit 2008. Pavarësia e Kosovës e shpallur në shkurt të atij viti, vazhdon të kundërshtohet nga Serbia e cila është përfshirë në përpjekje për të nxitur tërheqjen e njohjeve për Kosovën.

Aspiratat e të dyja vendeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian janë të kushtëzuara me një marrëveshje normalizimi marrëdhëniesh ndërmjet tyre dhe së fundmi administrata amerikane është angazhuar për ripërtëritjen e procesit te bisedimeve ndërmjet të dyja vendeve. /VOA/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në takimin e parë të Këshillit Nacional Këshillëdhënës të Infermierisë…