Çështja e Kosovës dhe roli i diplomacisë ndërkombëtare në procesin e çlirimit të saj

02 dhjetor 2022 | 17:45

Prof. dr. Lulëzim Lajçi

Pas Luftës së Dytë Botërore, me dominimin politik serb, çështja e Kosovës u tentua të mbyllej në mënyrë të panatyrshme dhe të kurdisur politikisht. Deri në vitin 1981 shteti jugosllav kishte arritur ta mbante Kosovën jashtë fokusit të informacionit ndërkombëtar.

Demonstratat e vitit 1968, me kërkesën e tyre për Republikën e Kosovës, u paraqitën para opinionit ndërkombëtar si protesta të zakonshme studen­tësh për përmirësimin e kushteve ekonomike të jetës. Ndërsa shqiptarët e dënuar për veprimtari patriotike konsideroheshin të “burgosur politikë”, po si një dukuri e zakonshme – e natyrshme për të gjithë Jugosllavinë dhe vendet e tjera të bllokut lindor.

Mirëpo, duke filluar nga demonstratat e viti 1981, kur shqiptarët ripërsë­ritën kërkesën për Republikën e Kosovës, e ku u vranë 9 sipas burimeve jugosllave, ndërsa 300 veta, sipas burimeve amerikane, çështja e Kosovës shpërtheu kornizat jugosllave dhe u bë objekt i shtypit dhe i medieve ndër­kombëtare të kohës, por jo edhe i qeverive të shteteve të veçanta apo i organizmave politike ndërkombëtare.

Pra, qeveritë e ndryshme dhe përgjithësisht faktori ndërkombëtar mos­përkrahjen ndaj demonstratave të vitit 1981 e manifestoi me heshtje. Federata jugosllave përfaqësonte si për Lindjen ashtu edhe për Perëndimin një hapësirë të veçantë, ku takoheshin e ekuilibroheshin interesat dhe koniunktura e kompromisit të tyre. Për Perëndimin Jugosllavia ishte zonë e erozionit të ndikimit rus, kurse për Lindjen ishte një model i socializmit human në botë. Të dyja palët preferonin ta kishin një shtet jugosllav të vetëm dhe të mos hapnin dritë jeshile për lëvizjet e tjera kombëtare jo vetëm në Jugosllavi, por edhe në Ballkan dhe në Evropë. Prandaj, shtetet evropiane e injoruan me mospërfillje çështjen e Kosovës.

Pas demonstratave të vitit 1981, statusi shoqëror-politik e juridik i shqip­tarëve dhe i vetë Krahinës së Kosovës erdhi duke u minimizuar. Ky feno­men u bë i dukshëm pas ardhjes së Millosheviqit në pushtet si president i Serbisë (1985), i cili u mbështet në forcat konservatore e nacionaliste serbe. I inkurajuar nga heshtja e Evropës dhe e republikave të tjera jugosllave ndaj problemit të Kosovës, si dhe për ta rritur autoritetin e tij politik, S. Millosheviqi luajti me kartën nacionale, duke e sensibilizuar opinionin serb për pozitën e pafavorshme kushtetuese territoriale, ekonomike e shoqërore të Republikës së Serbisë në Federatën Jugosllave.[1]

Në rrjedhën e kësaj politike, më 23 mars të vitit 1989, nën gjendje të jashtëzakonshme, nën mbikëqyrjen e më shumë se 16 mijë ushtarëve dhe 10 mijë policëve specialë të policisë federale, në seancën e Kuvendit të Kosovës u aprovuan amendamentet në Kushtetutën e Serbisë. Seanca “solemne”, dy herë e shtyrë, u mbajt më 23 mars dhe në të, pos “shumicës së delegatëve” (siç vlerësoi pa u numëruar, kryetari i Kuvendit Vukashin Jokanoviq, megjithëse as sot nuk dihet numri i saktë i delegatëve të pra­nishëm) ishin të pranishëm edhe politikanë kosovarë dhe nga Serbia e federata, nga APJ-ja sikur edhe një numër i bollshëm i “delegatëve” nga DB-a (Drzhavna Bezbednost: Sigurimi Shtetëror), të cilët kishin votuar në emër të delegatëve dhe për hir të atmosferës!? Në këtë seancë, pasi që disa delegatë kërkuan të diskutohej (u fol rreth tri orë e gjysmë) kryetari i Kuvendit, Jokanoviq, më së miri shprehu karakterin “demokratik” dhe “juridik” të kësaj seance, duke thënë: “Këtu është çdo gjë e qartë si kristali dhe s’ka për çfarë të debatohet”. Një qëndrim të avancuar mbajti Melihate Tërmkolli, e cila publikisht nuk u pajtua me amendamentet në Kushte­tutën e Serbisë, sepse “edhe formalisht krahina e humbi autonominë”, si dhe Riza Lluka, i cili kërkoi që të votojnë vetëm delegatët dhe jo edhe “të tjerët” si dhe të konstatohet numri i delegatëve të pranishëm dhe i atyre që votojnë për dhe kundër. Për t’u aprovuar amendamentet për është dashur të votojnë 126 delegatë, pra dy të tretat e delegatëve të pranishëm. Në këtë akt të rrënimit të konstitucionit të Kosovës fatkeqësisht morën pjesë edhe rreth 100 delegatë të zgjedhur shqiptarë, me çka formalisht e legjitimuan farsën e dytë në historinë më të re, që luhej me votën e përfaqësuesve të popullit shqiptar dhe për këtë historia nuk fal.[2] Me këtë akt u rrëzuan të gjitha strukturat institucionale, politike, ekonomike, gjyqësore, policore, shëndetësore e kulturore autonome të Kosovës dhe gjithçka u vu nën pushtetin e Beogradit.

Dhuna antikushtetuese që ndërmori pushteti serb ndaj strukturave autonome të Kosovës dhe masat represive ndaj popullsisë shqiptare, e përkeqësuan situatën dhe i bën shqiptarët më të vendosur në rrugën drejt shkëputjes. Më 2 korrik 1990, si përgjigje ndaj politikës rrënuese të Beo­gradit, të 114 deputetë shqiptarë të Kosovës, miratuan Deklaratën Kushte­tuese, përmes së cilës de jure Kosova shkëputej nga Serbia dhe linte të hapur mundësinë e participimit në Federatën apo Konfederatën Jugosllave, si element konstituiv i së cilës ishte edhe sipas Kushtetutës së vitit 1974, por kjo lihej varësisht se si do të përcaktoheshin edhe popujt e tjerë të saj. Shpallja e pavarësisë së Kosovës u bë në një kohë kur ende nuk ishte shkatërruar Federata Jugosllave dhe kur Kosova rrezikohej të bëhej Serbi. Ky ishte edhe hapi më logjik që mund të ndërmerrej.[3]

Meqenëse punimet e seancës së Kuvendit të Kosovës në sallën e parla­mentit i pengoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, sërish një serb, Bozhoviq, seanca i zhvilloi punimet në platenë përpara Kuvendit. Deklaratën e lexoi Bujar Gjurgjealo, ndërsa arsyetimin Muharrem Shabani.

Në kuptimin konstitucional Rezoluta e Bujanit është analoge me Dek­laratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990, e cila në substancë ishte shprehje e vullnetit politik të popullsisë shumicë në Kosovë për vetëvendosje: “Deklarata Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të Federatës / Konfederatës së Jugosllavisë si subjekt i barabartë me njësitë e tjera në Federatë / Konfederatë». Lidhur me këtë akademik Gazmend Zajmi shkruante: “Me këtë Deklaratë Kushtetuese, me karakter konstituiv politik, përveç të tjerash, `ipso jure` u bë derrogimi i rezolutës së Kuvendit të Prizrenit të vitit 1945 mbi bashkimin e Kosovës ‘Serbisë federale’” (Leges posteriors priores contrairas abrogant).[4] Kështu, çështja e Kosovës, pas shpalljes së Republikës së Kosovës, hyn në një fazë të re historike, në rrugën e arritjes përfundimtare të pavarësisë së Kosovës – zgjidhje me peshë madhore e çështjes shqiptare në përgjithësi dhe me peshë ndëretnike ballkanike.[5]

Pas këtij hapi, një delegacion i Kuvendit, i përbërë nga Muharrem Shabani, Bujar Gjurgjealo dhe Skënder Skënderi, që ditën vijuese pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, ishte nisur jashtë Kosovës, në mënyrë që të vendo­snin kontakte me autoritetet e porsazgjedhura sllovene dhe kroate si dhe me qeveritë e vendeve evropiane dhe me atë amerikane, me qëllim që t’i shpjegonin kushtet dhe rrethanat në kuadër të të cilave Kuvendi i Kosovës kishte nxjerrë Deklaratën Kushtetuese dhe mundësisht ta siguronin për­krahjen e tyre.

Pas kësaj pritej se çfarë kundërmasash do të ndërmerrnin Serbia dhe Jugosllavia. Kjo pritje nuk zgjati shumë. Kuvendi i Serbisë më 5 korrik në procedurë të parregullt dhe pa mbështetje kushtetuese nxori vendimin mbi suspendimin e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës dhe vendosjen e admini­strimit të dhunshëm në Kosovë. Të njëjtën ditë me forca policore nga ndërtesa e Kuvendit u dëbuan të gjithë zyrtarët e lartë e punonjësit e Ku­vendit dhe të Qeverisë së Kosovës. U ndërpre me forcë emetimi i progra­mit të Radiotelevizionit të Prishtinës dhe, pas disa ditësh, edhe gazetës së përditshme “Rilindja” iu bë i pamundur botimi. Në ditët që pasuan nga puna u larguan me dhunë të gjithë të punësuarit në administratën qen­drore, numri më i madh i pjesëtarëve shqiptarë të policisë si dhe filloi largimi nga puna i të punësuarve në administratën lokale. Më nuk kishte dyshim se Serbia po vendoste një aparat të okupimit klasik në Kosovë dhe se ajo dëshironte ta sundonte atë si një koloni të saj.

Ndaj këtyre masave të dhunshme të Serbisë faktori shqiptar, i prirë nga partitë e reja politike, që vepronin atëherë, më e madhja ishte LDK-ja si dhe nga Sindikata e Pavarur e Kosovës, filloi të riorganizohet dhe mënyrën e veprimit e rezistencës t’u përshtatë kushteve dhe rrethanave të reja, të cilat i kishte imponuar Serbia. Shumë manifestime, demonstrata dhe forma të reja të rezistencës linin të kuptohej se populli i Kosovës s’do të nënshtro­hej dhe se do ta kundërshtonte okupimin e Kosovës nga Serbia. Ky ishte një mesazh i fuqishëm që çdo ditë u dërgohej forcave okupuese serbe në Kosovë dhe faktorit të jashtëm. Shteti shqiptar me një Deklaratë të Kuvendit të Shqipërisë njohu Republikën e Kosovës. Ky qëndrim i Kuvendit të Shqipërisë nuk ishte obligues dhe nuk kishte domethënien e hapjes së mun­dësisë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Ishte ky më shumë një akt politik i Tiranës zyrtare për t’i inkurajuar shqiptarët e Kosovës. Në fakt, qysh atëherë u kuptua se Shqipë­ria nuk ka potenciale reale politike dhe ushtarake për ta ndihmuar Kosovën në rast të shpërthimit të luftës edhe në Kosovë[6] Mirëpo, në anën tjetër, bashkësia evropiane dhe shtetet e tjera të Perëndimit, posaçërisht ShBA-ja, zhvilloi kontakte të shumta politike me udhëheqjen e Kosovës dhe udhëheqësit e tjerë shqiptarë. Përfaqësuesit e shqiptarëve u pritën nga zyrtarët e këtyre shteteve deri në nivelet më të larta shtetërore. Delegacione të shumta qeveritare, parlamentare e humanitare që e vizituan Kosovën, u dhanë përkrahje kërkesave të shqiptarëve dhe e përshëndetën organizimin politik e shtetëror shqiptar. Këto shtete, po ashtu, nxorën shumë rezoluta, në parlamentet kombëtare e të Bashkimit Evropian, në të cilat dënohej dhuna e pushtetit serb në Kosovë dhe përkrahej çështja shqiptare.[7]

Në këto rrethana organet shtetërore të Kosovës bënin përpjekje për ta riorganizuar mënyrën e veprimit dhe përshtatjen e organizimit të veprim­tarisë sipas situatës së krijuar. Kuvendi i Kosovës ishte në një gjendje edhe më specifike në këto kushte. Ai kishte një obligim të veçantë që dilte nga pika 5 e Deklaratës Kushtetuese. Ai duhej ta përgatiste dhe ta shpallte Kushtetutën e Republikës së Kosovës me aktet e tjera të nevojshme që nxirreshin në raste të tilla. Kjo e vinte në pozitë të tillë Kuvendin që duhej të organizohej në atë mënyrë që kjo punë të bëhej sa më shpejt dhe sa më mirë. Pothuajse çdo ditë gjatë korrikut dhe gushtit delegatët vinin në Prishtinë, mblidheshin nëpër vende të ndryshme dhe bisedë të vetme kishin si dhe kur të mbahet mbledhja, në të cilën do të shpallej Kushtetuta. Te ta kishte një gatishmëri të jashtëzakonshme dhe mund të thuhet një padurim, shkruan Iljaz Ramajli, që kjo punë të bëhej sa më shpejt, pa marrë parasysh pasojat.[8]

Më 7 shtator 1990 çdo gjë funksiononte në mënyrë perfekte, vazhdon Iljaz Ramajli. Delegatët arritën në Kaçanik në kohën e caktuar, u pritën sipas planit, mbledhja filloi në orën 8 (në mbrëmje), ashtu siç ishte pla­nifikuar dhe përfundoi pa pengesa. Kuvendi në këtë mbledhje shpalli Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe aktet e tjera përcjellëse, duke e çuar Kosovën në një etapë të re drejt ecjes në rrugën për pavarësi dhe krijim të shtetit sovran.[9]

Pra, ligjvënësit shqiptarë miratuan një Kushtetutë, e cila shpalli që:

Republika e Kosovës është shtet demokratik i popullit shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve dhe minoriteteve me qytetarët e saj: serbët, myslimanët, malazeztë, kroatët, turqit, romët dhe të tjerët që jetojnë në Kosovë… Republika e Kosovës si një shtet është pjesë e komunitetit jugosllav”.

Në anën tjetër Beogradi u përgjigj duke e quajtur deklaratën e Kaçanikut si një akt jokushtetues dhe një sulm direkt ndaj integritetit të Serbisë dhe të Jugosllavisë. Autoritetet jugosllave arrestuan disa anëtarë të Kuvendit të Kosovës, ndërsa pjesa tjetër u largua në Kroaci, në Slloveni ose jashtë shtetit për t’i shpëtuar arrestimit.[10]

Kështu konform vendimeve të 2 korrikut dhe në prag të shkatërrimit të Federatës Jugosllave (pasi gjërat në konstitucionin jugosllav u qartësuan politikisht dhe juridikisht), nga e cila po dilnin shtetet sovrane, si Sllovenia, Kroacia, BH-ja, Maqedonia u shpall Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Deklarata Kushtetuese dhe Kushtetuta e Kaçanikut janë aktet më të larta konstitucionale të Kosovës, pas Rezolutës së Bujanit, me çka de jure filloi ndërtimi konstitucional i Kosovës nga përfaqësuesit e popullit.

Ndërkohë agresiviteti i pushtetit serb vazhdoi të rritej. Për rrjedhojë një vit më vonë, më 26-30 shtator 1991, në Kosovë u organizua Referendumi[11] për t’ia dhënë Republikës së Kosovës legjitimitetin e nevojshëm. Tani jo brenda Federatës Jugosllave, por shtet sovran dhe i pavarur. Ky referen­dum përfundoi me sukses të plotë dhe ishte sanksionim i së drejtës së vetëvendosjes së popullit shqiptar në kushtet e reja të pluralizmit. Republika e Kosovës ishte alternativë e mbijetesës. Kështu, çështja e Kosovës, pas shpalljes së Republikës së Kosovës, hyn në një fazë të re historike, në rrugën e arritjes përfundimtare të pavarësisë së saj. Zgjidhje kjo me peshë madhore të çështjes shqiptare në përgjithësi dhe peshë ndëretnike në Ballkan.[12]

çështja shqiptare, si një çështje unike e pazgjidhur e familjes së popujve evropianë, në kushtet e shkatërrimit të Federatës Jugosllave dhe të shpalljes së pavarësisë – Republikës së Kosovës, do të bëhet shqetësim jo vetëm për kombin shqiptar, por edhe për shtetet evropiane e sidomos për ShBA-në.[13]

Karta e legjitimitetit të deputetëve të Kuvendit të Parë Demokratik të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 24 majit 1992 në Kosovë, u dogj pa u konsistuar kurrë ky kuvend. U bë një përpjekje që Kuvendi të mblidhet, porse forcat serbe rrethuan medresenë “Alaudin” të Prishtinës, ku ishte paraparë mbajtja e seancës konstituive e Parlamentit të Kosovës. Në Parlamentin e parë shumëpartiak në Republikën e Kosovës ishin zgjedhur 130 deputetë, prej 22 partive, grupeve dhe shoqatave politike e jopolitike. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pati fituar 547 755 vota apo 76.44 për qind të elektoratit, ndërsa e dyta ishte Partia Parlamentare që kishte fituar 36 549 vota apo 4.86 për qind të elektoratit. Prej 130 deputetëve të zgjedhur në votime të drejtpërdrejta dhe në proporcionale, 96 deputetë ishin të LDK-së, 13 të Partisë Parlamentare, 7 të Partisë Fshatare, 7 të Partisë Shqiptare Demokristiane, 2 kandidatë të pavarur, 5 deputetë nga Partia e Aksionit Demokratik të Kosovës (myslimanë), ndërkaq ishin rezervuar 14 vende për deputetët serbë dhe malazezë (sipas proporcionit). Meqë Kuvendi i parë u zgjodh në kohën kur sapo ishin liruar nga burgu shumëvjeçar qindra të burgosur politikë, në mesin e deputetëve të zgjedhur pati mbi 50 deputetë që kishin vuajtur nëpër burgjet serbe.[14]

Në këtë kohë Bashkimi Evropian dhe shtetet e tjera të Perëndimit, posaçërisht ShBA-ja, zhvilluan kontakte të shumta politike me udhëheqjen e Kosovës e udhëheqës të tjerë shqiptarë. Përfaqësuesit e shqiptarëve u pritën nga zyr­tarët e këtyre shteteve deri në nivelet më të larta shtetërore. Delegacioneve të shumta qeveritare, parlamentare e humanitare, që e vizituan Kosovën, iu dha përkrahje kërkesave tona, po ashtu u nxorën shumë rezoluta, në parlamentet kombëtare e të Komunitetit Evropian, në të cilën dënohej dhuna e pushtetit serb në Kosovë dhe përkrahej çështja shqiptare.[15]

Në anën tjetër, përkundër rrethanave të reja, pushteti qendror në Beograd mëtonte ta ruante hegjemoninë që e kishte vendosur mbi këto republika, sovranitetin e tyre, disa nga ato arritën në luftë (Sllovenia, Kroacia dhe BH-ja), ndërsa Kosova u vendos në një “pat-pozicion”, duke e anashkaluar në Dejton.[16]

Shtetet perëndimore në fillim përpiqeshin që në Kosovë të mos shpër­thente konflikti i armatosur dhe të zbutet represioni serb, i cili kishte për qëllim ndryshimin e strukturës së popullsisë në Kosovë me anë të spastri­mit etnik. Me qëllim që ky konflikt latent të evitohej deri në zgjidhjen definitive të çështjes së Kosovës, kryetari i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, parashtroi një plan veprimi prej 10 pikash, ndër të tjera, kërkoi që Kosova të vihej nën protektoratin e OKB-së dhe të ndërmerren masat e duhura në pajtim me këtë akt. Këtë plan të Rugovës e mbështeti edhe Republika e Shqipërisë.[17]

Pikërisht në momentet kur çështja e Kosovës u bë shqetësim për nivelet e veçanta e të përbashkëta ndërkombëtare, kur një konfiguracion i ri etnik e politik u krijua në territorin e ish-Jugosllavisë, sekretari i NATO-s, gjene­rali Manfred Vërner, paralajmëronte Serbinë kundër përpjekjeve për spas­trim etnik të shqiptarëve nga Kosova dhe nënvizonte se “një zgjerim i luftërave drejt Kosovës dhe një luftë ballkanike duhet të ndalet me çdo çmim”. Kurse ish-presidenti Xhorxh Bush paralajmëroi udhëheqjen serbe në dhjetor të vitit 1992 që ShBA-ja mund ta përdorën forcën në qoftë se Serbia shtrin luftën në Kosovë. Mesazhi i Bushit indirekt thoshte që “në rast të konfliktit në Kosovë të shkaktuar nga serbët, ShBA-ja do të përgatitet t’i përdorë forcat ushtarake në Kosovë dhe Serbi kundër serbëve”.[18]

Një muaj më vonë, përkatësisht më 21 janar 1993, edhe Bil Klintoni në fjalimin e tij të përurimit për president të ShBA-së, në mënyrë indirekte ia dërgon këtë mesazh Millosheviqit: “Çdo herë që interesat tona kërcënohen, ose kurdoherë që vullneti dhe ndërgjegjja e bashkësisë ndërkombëtare përbuzet, ne do të veprojmë me diplomaci paqësore kur është e mundur, me forcë kur është e nevojshme”.[19]

Kështu, për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, në vitet ’90 kon­cepti humanitar fitoi epërsinë mbi konceptin e “interesave të shtetit”, të “integritetit tokësor”, “të sovranitetit absolut”, të mbrojtur nga e drejta ndërkombëtare. Kjo ishte një risi shumë pozitive me rrjedhime të papa­rashikuara, por pa dyshim përparimtare dhe e mirëseardhur.

Bota e re filloi kështu një epokë, në të cilën gjykimi dhe ndërgjegjja e opinionit ndërkombëtar po konkretizohen me një të drejtë ligjore ndër­kombëtare, që inkurajon “veprime të përbashkëta” në “kuadër të OKB-së”, kundër “shteteve sovrane” që sfidojnë këtë gjykim dhe ofendojnë këtë ndërgjegje, kundër luftërave civile e eksodit dhe urisë masive, kundër gjenocidit etj. Këto ndodhën kur u shua “bota dypolare” apo e “dy super­fuqive”, kur ShBA-ja mbeti e vetmja superfuqi e aftë për të formuar dhe drejtuar koalicione për përballimin e situatave ekstreme. Si rrjedhim, me gjithë dëshirën e shumë qeverive të Evropës Perëndimore që ShBA-ja ta luajë rolin e “policit ndërkombëtar”, këtë superfuqi koha e “dënoi” që ta marrë përsipër rolin udhëheqës në krijimin e një rendi të ri botëror.

Dy deklaratat e dy presidentëve të ShBA-së, Xhorxh Bush dhe Bil Klinton, dëshmojnë se koncepti i “sovranitetit” do të kalojë në një fazë transitore për arsye të përparësisë që fiton respekti për mbrojtjen e të drej­tave të njeriut, sidomos garancia e jetës së lirë. Ky qëndrim inkurajoi popujt e pushtuar-robëruar, pra edhe popullin shqiptar, ta kërkojë me këm­bëngulje të drejtën e vetëvendosjes, duke përfshirë edhe pavarësinë e plotë, si mjet i fundit për ndalimin e shkeljes së të drejtave individuale dhe kolektive.

Nga pikëpamja e sigurimit të paqes ndërkombëtare edhe koncepti i mosndërhyrjes në punët e brendshme pësoi ndryshim me rastin e Kosovës, sepse përvoja tregoi se lufta në Kosovë paraqet kërcënim për paqen botë­rore dhe se imperativi i ruajtjes së paqes imponon si zgjidhje të fundit mundësinë e intervenimit.[20] Rendi i ri botëror imponoi përdorimin e for­cës për probleme të reja, siç janë: mbrojtja e një shteti demokratik, mbrojtja e të drejtave të njeriut për grupe të gjera popullsive nga shkeljet e rënda, katastrofat njerëzore: si uria masive, anarkia, eksodi i pafund, pastrimi etnik me anë të dhunës, katastrofat humanitare etj. dhe ndalimi i luftës vëllavrasëse shkatërrimtare.[21]

ShBA-ja, por edhe Britania e Madhe dhe ato shtete që kanë qenë të interesuara për ta nxjerrë Kosovën pa kaluar nëpër përvojën e Bosnjës, janë munduar vazhdimisht të krijojnë parakushte për këtë. Janë munduar që problemin e Kosovës ta zgjidhin shkallë-shkallë, duke i amortizuar pengesat e shteteve, si: Rusia, Kina etj.[22]

Pas të gjitha këtyre zhvillimeve, është e kuptueshme edhe prania e kon­tingjentit të forcave të huaja në Maqedoni qysh në vitin 1992. Fillimisht i njohur me emrin “Forcat e UNPROFOR-it”. Në përbërje të këtyre forcave ishin dy batalione, të njohura shkurt US-bat (Batalioni amerikan) dhe Nord-bat (Batalioni nordik). Me fillimin e luftës në Kosovë më 1998 insti­tucionet ndërkombëtare dhe shtetet aleate të Paktit të NATO-s e përfor­cuan pranin e tyre ushtarak në Maqedoni. Në të njëjtën kohë edhe qeveria shqiptare, zyrtarisht kërkonte asistencë ushtarake të huaj, së pari të NATO-s në kuadër të formulës “partneriteti për paqe” (partner ship for peace).

Ekspertët e NATO-s fillimisht propozuan një ndarje joproporcionale të këtyre forcave ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë. U vendosën 18 mijë forca në Maqedoni dhe 2 000 në Shqipëri. Ndërsa rreziku i luftës po bëhej gjithnjë e më i madh, prania ushtarake ndërkombëtare u shtua pa shumë zhurmë e deklarata.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së dy herë mori në shqyrtim gjendjen në Kosovë dhe diskutoi edhe mundësinë e nevojës së ndërhyrjes. U miratua rezoluta që e dënonte regjimin e Beogradit, por nuk u vendos në favor të ndërhyrjes. Në tetor të vitit 1998 në politikën euroatlantike u shfaq një nismë e re për ndërhyrje ushtarake, nisma e NATO-s. Të 19 vendet anëtare të Aleancës arritën në përfundim kolegjial se “Millosheviqi njeh vetëm gjuhën e forcës”.[23]

Duke vlerësuar se rreziku i përhapjes së luftës jashtë kufijve të ish-Jugosllavisë ishte shndërruar tashmë gati në një kërcënim, komanda politike e NATO-s vendosi t’ia drejtojë Beogradit një ultimatum, afati i të cilit skadonte pas dy javësh. Në përfundim të këtij afati do të hynte në fuqi “urdhri i veprimit” (action order). U bë e ditur se urdhrin për veprim do ta jepte J. Solana, nëse Beogradi nuk i tërheq forcat ushtarake nga Kosova dhe nuk e ndal dhunën në Kosovë. Kjo nënkuptonte se në mbarim të afatit të parashikuar në ultimatum nuk do të ishte e nevojshme thirrja e një mbledhje tjetër e anëtarëve të Aleancës.

Mirëpo, ultimatumi i parë i NATO-s “action order” dështoi. Gjatë dy javësh Perëndimi manifestoi pajtim të plotë për ndërhyrje.

Të gjitha vendet anëtare të NATO-s deklaronin se sa forca dhe mjete ishin gati t’i vinin në dispozicion të komandës së operacionit. Mirëpo, natën e përfundimit të afatit, në Beograd gjendej për “bisedime të fundit” ndërmjetësi amerikan Hollbruk. Pikërisht natën e mbarimit të ultimatumit në Itali ndodhi një krizë qeveritare, e cila paralizoi veprimin e Romës dhe e bëri të paqartë mundësinë e shfrytëzimit të bazave të saj. Mirëpo, qeveria italiane u rikrijua me të njëjtën strukturë pa kaluar një ditë e plotë.[24]

Nga ana tjetër, dështimi i ultimatumit e kishte inkurajuar Beogradin të ndërmerrte veprime të reja terroriste kundër shqiptarëve, duke errësuar fatin e tyre. Po ashtu, politikës së Perëndimit për të ndërhyrë ushtarakisht në favor të vënies së krizës nën kontroll, iu kundërvu politika zyrtare ruse. Qëndrimi i Moskës u shpreh në kërcënimet se “bota rrezikonte të kthehej në kohën e luftës së ftohtë”, se do të merrte fund marrëveshja e Rusisë me NATO-n dhe se do të rrezikoheshin seriozisht marrëveshjet e çarmatimit të përgjithshëm bërthamor.[25]

Me gjithë këto rrethana Aleanca Euroatlantike ishte e vendosur për ndër­hyrje ushtarake në ish-Jugosllavi, por i diskutueshëm mbetej vetëm kara­kteri i ndërhyrjes: nëse do të ishte ai paqësor, apo luftarak.[26]

Sensibilizimi i faktorit ndërkombëtar, pas masakrave që bëheshin në Kosovë, e sidomos nga injorimi i marrëveshjes Hollbruk – Millosheviq, sepse gjatë gjithë kohës së ekzistimit të marrëveshjes forcat serbe i vazh­donin arrestimet, vrasjet, zhvillonin luftë të pashpallur, që kurrë nuk pushonte, duke e fyer në këtë mënyrë edhe vetë Misionin Vëzhgues Ndërkombëtar me sjellje jonjerëzore. Për këtë është referuar çdo ditë para faktorit vendimmarrës të botës e sidomos para Aleancës ushtarake të NATO-s. Kjo ishte një fyerje e pashembullt e bashkësisë ndërkombëtare dhe e personave të caktuar që kishin ndikim në rrjedhat botërore të kohës. Një lloj cinizmi, një lloj injorimi që arriti ta hidhëronte tej mase bashkësinë ndërkombëtare.[27]

Në muajin janar 1999 gjendja u rëndua edhe më shumë. Misioni i Holl­brukut dështoi, ndërsa armëpushimi i premtuar mori fund. Regjimi i Beo­gradit filloi të vepronte në mënyrë kriminale kundër popullsisë civile shqip­tare. Vëzhguesit e huaj[28] zbuluan varre masive dhe të dhëna të tjera të masakrimit të shqiptarëve. Përfaqësuesi i posaçëm i OSBE-së për Kosovë, Knut Volebek, paraqiti në mediet botërore pamje të tmerrshme të dhunës serbe, duke përfshirë masakrën e Reçakut,[29] e cila, përfundimisht, hoqi mundësinë e një marrëveshjeje për paqe në bisedime të drejtpërdrejta shqiptaro-serbe, siç ishte propozuar disa vjet me radhë. U krijua bindja se dhuna serbe kundër Kosovës kishte marrë formën klasike të një gjenocidi të egër primitiv.

Në mbledhjen e 29 janarit 1999, që u mbajt në Londër, Grupi i Kontaktit vendosi thirrjen e bisedimeve politike ndërmjet dy delegacioneve: të Kosovës dhe të Beogradit për të arritur një marrëveshje të re politike për paqen rajonale dhe për statusin e ardhshëm të Kosovës. Grupi i Kontaktit zgjodhi kështjellën e Rambujesë (Rambouillet), rezidencë qeveritare në afërsi të Parisit si vend i mbajtjes së takimit.[30]

Shqiptarët e mirëpritën vendimin e fuqive evro-amerikane për zhvillimin e bisedimeve jashtë Jugosllavisë. Dokumenti i Rambujesë njihet me emrin “Marrëveshje e ndërmjetme për paqen dhe vetëqeverisjen në Kosovë”. Në rrethana mjaft komplekse të bisedimeve në Rambuje arriti sekretarja e Shtetit, Medlin Ollbrajt, e cila bisedoi intensivisht me shqiptarët për t’i bindur që ta nënshkruajnë në mënyrë të njëanshme projektin. Pikëpamjet amerikane në këtë periudhë kritike për fatin e marrëveshjes ishin:

 

  1. Nëse të dy delegacionet do të nënshkruanin, një trupë ushtarake do të vendosej posaçërisht në Kosovë;
  2. Nëse marrëveshja do të nënshkruhej vetëm nga pala shqiptare, NATO-ja do ta ndëshkonte regjimin e Beogradit për mospranimin e paqes dhe
  3. Nëse as delegacioni shqiptar s’do ta nënshkruante marrëveshjen atëherë do të mbetej të rishqyrtohej edhe një herë mundësia e ndërhyrjes së aviacionit të Aleancës Euroatlantike në ish-Jugosllavi.[31]

 

Vendimi për pranimin e marrëveshjes së Rambujesë u mor në delega­cionin shqiptar, në kushtet e një presioni të fortë psikologjik e politik të jashtëm e të brendshëm. Nënshkrimi i dokumentit të Rambujesë ka qenë fitore politike dhe diplomatike. Prej këtij momenti shqiptarët panë përfun­dimisht se janë të përkrahur dhe se interesat e tyre nuk janë në kundërshtim me interesat e bashkësisë ndërkombëtare.[32]

Institucionet ndërkombëtare u njoftuan me këtë “gjysmë suksesi”, kurse delegacioni shqiptar fitoi përkrahje në opinionin ndërkombëtar. Më 24 mars, disa ditë pas nënshkrimit të njëanshëm të marrëveshjes nga pala shqiptare në Paris dhe refuzimit të saj nga pala serbe, aviacioni i NATO-s goditi territorin e ish-Jugosllavisë.

Pra, Perëndimi e kuptoi se duhej intervenuar ushtarakisht në dobi të Kosovës, se liria e saj ishte jo vetëm synim i ndershëm i shqiptarëve, por edhe një vlerë e qytetërimit perëndimor.[33]

U bombarduan aeroportet kryesore të ish-Jugosllavisë: në Beograd e në Podgoricë. U bombardua edhe Aeroporti i Prishtinës. NATO-ja nisi godi­tjet ajrore edhe të objekteve strategjike të Serbisë, industrisë dhe instali­meve ushtarake, rezervave shtetërore e karburanteve, rrjetit televiziv të dezinformimit, institucionet e administratës ushtarake-politike. Këtij vep­rimi iu nënshtrua edhe ekonomia e Kosovës dhe e Malit të Zi.

Dy muaj pas fillimit të operacioneve ndëshkuese, NATO-ja raportoi se kishte shkatërruar 1/3 e ushtrisë dhe të teknikës serbe dhe në të njëjtën shkallë ishin shkatërruar sistemet makro-ekonomike.[34]

Në anën tjetër si u pritën sulmet e NATO-s në Kosovë më së miri na rrëfen një nga komandantët më të njohur të UÇK-së, Ramush Haradinaj: “Kur kalonin avionët, neve na ngjallej shpresa se nuk ka përfunduar gjithçka… Është e papërshkrueshme goditja e NATO-s në Kralan e Gërgoc, derisa po zhvilloheshin luftimet për mbrojtjen e të vetmit territor të lirë në Kosovë, që ishte prapavija jonë e mbushur përplot me popullatë civile”.[35] Kurse për gjendjen në taborin e armikut thotë: “Pas fillimit të goditjeve ajrore të NATO-s, forcat serbe qysh në ditën e parë e kishin humbur luftën. U ka ra morali dhe vlera si ushtri. Ushtria e tyre nuk ka qenë më ushtri. Kanë qenë grupe njerëzish të dezorganizuar, që kanë vepruar në bazë të logjikës së momentit…”.[36]

Rrjeti televiziv botëror i ndoqi zhvillimet në ish-Jugosllavi hap pas hapi, pothuajse pa ndërprerë, derisa Beogradi vendosi dëbimin e korrespoden­tëve të huaj. Edhe pas këtij vendimi, vëmendja e ndërkombëtarëve ndaj këtyre ngjarjeve mbeti e njëjtë.

Peshën më të madhe në operacione e mbajtën amerikanët dhe anglezët. Franca vuri në dispozicion të Aleancës avionët “Mirage”, ndër më moder­nët, kurse Italia lejoi përdorimin e bazës së Avianos.

NATO planifikoi organizimin e misioneve ndëshkuese edhe duke u nisur prej bazave detare në Adriatik.[37]

Kundërshtare kryesore e veprimeve të NATO-s në ish-Jugosllavi ishte Moska. Ajo u përpoq me çdo kusht t’i jepte krizës në ish-Jugosllavi kara­kterin e krizës së institucioneve ndërkombëtare, duke e vënë në pikëpyetje aftësinë e tyre për ta mbrojtur rendin botëror.

Megjithëkëtë, NATO në maj të vitit 1999 përmblodhi kushtet e saj për ndërprerjen e bombardimeve në pesë pika të palëkundshme. Një përpjekje për rishikimin e tyre u bë me propozimin italo-gjerman në mbledhjen e Grupit të vendeve të zhvilluara apo G-7 plus Rusisë, që të arrihej një projekt tjetër paqeje me “tetë pika”. Ky projekt kishte pëlqimin edhe të Rusisë. Ai përmbante edhe angazhimin e drejtpërdrejtë të OKB-së për t’u dhënë fuqi ligjore operacioneve të ndërhyrjes me anë të një rezolute të Këshillit të Sigurimit.[38]

Në planet e NATO-s nuk parashihej një ndërhyrje me trupa tokësore. Mirëpo, regjimi i Beogradit i shtoi mbi 40 000 trupa ushtarake përveç formacioneve paramilitare dhe të policisë speciale në Kosovë. Kundrejt popullsisë u bënë masakra dhe barbari që ua kalonin edhe atyre të kryera nga nazifashistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shpërngulja masive e shqiptarëve nga Kosova mori trajtën e një eksodi biblik. Në këto rrethana u vendos që të fillojnë përgatitjet për një operacion të këmbësorisë. Për këtë qëllim në Shqipëri u dërgua një teknikë e lartë ushtarake, duke përfshirë edhe helikopterë supermodernë “Apach”. Ndërsa në Maqedoni u insta­luan forca të reja ushtarake dhe në javën e fundit të majit u vendos që numri i trupave të NATO-s të dyfishohej deri në 45 000 veta.[39]

Përballë goditjeve shkatërrimtare ushtarake dhe ekonomike, Sllobodan Millosheviqi u përpoq të jepte shenja zbutjeje: liroi tre ushtarë amerikanë të zënë rob në Maqedoni, u përpoq të mashtronte se po fillonte një tërheqje të trupave, si dhe lejonte të shkonte në Itali presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, që ishte mbajtur peng deri atëherë në Prishtinë. Më 27 maj 1999 Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e akuzoi Millosheviqin si kriminel lufte (bashkë me tre pushtetarë të tjerë të lartë) për krime kundër njerëzimit të cilat ishin dokumentuar gjerësisht.

Më 3 qershor 1999 Parlamenti i Jugosllavisë së mbetur u detyrua t’i miratonte parimet e një marrëveshjeje, të paraqitur nga ndërmjetësit ndër­kombëtarë. Bisedimet për zgjidhjen e çështjeve teknike për tërheqjen e trupave serbe nga Kosova nisën në Kumanovë (FYROM), por u ndërprenë pa sukses.

Atëherë, më 8 qershor, u miratua nga G-8 një projektrezolutë, për t’ia paraqitur Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Po atë ditë në Këln të Gjer­manisë, me ndërmjetësimin e sekretares së shtetit të ShBA-së, Medlin Ollbrajt, u organizua takimi i udhëheqësve shqiptarë të Kosovës: dr. Ibrahim Rugova, akademik Rexhep Qosja dhe Hashim Thaçi, që rithek­suan se do t`i përmbaheshin Marrëveshjes së Rambujesë, duke kërkuar të drejtën për referendum në fund të protektoratit ndërkombëtar.

Më 10 qershor Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën për Kosovën, në bazë të së cilës, më 12 qershor 1999, trupat e NATO-s filluan të hyjnë në Kosovë krahas tërheqjes së të gjitha forcave ushtarake serbe. Me këtë akt lufta në Kosovë u quajt e përfunduar.[40]

Meqenëse ky vështrim i shkurtër ishte i përqendruar tërë kohën kryesisht në qëndrimin dhe rolin që kishte dhe që pati, faktori ndërkombëtar ndaj çështjes shqiptare, atëherë këtë shkrim tonin po e përmbyllim me fjalët e një përfaqësuesi të lartë ndërkombëtar, paraqitja e të cilit çdoherë ngjallte shpresa te shqiptarët, si brenda në Kosovë ashtu edhe anekënd botës, ku ishin të shpërngulur më se një milion shqiptarë: “Dhe në fund, le të më lejohet të them, shkruan Jamie Shea në shkrimin “Kriza e Kosovës dhe mediet: A e kemi bindur viktimën, shqiptarët e Kosovës, se po e mbrojmë çështjen e tyre? Po, e kemi bërë këtë. Kur unë isha në Prishtinë, vazhdon Shea, menjëherë pas fushatës, me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, një zonjë m’u afrua dhe më tha: ‘Zoti Shea, ju ishit linja jonë jetësore kah optimizmi”. “Linjë jetësore kah optimizmi”, përsërit Shea.[41]

Kurse komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, lidhur me rolin e faktorit ndërkombëtar gjatë luftës së fundit në Kosovë, nënvizon: “Lufta jonë u dëshmua jo aq shumë në organizim të fuqishëm, jo me ndonjë kapacitet të madh goditës. Lufta jonë kishte karakter ngac­mues ose mbrojtës. Kjo nuk mjaftonte për ta bindur Millosheviqin për të hequr dorë nga Kosova. Kështu që angazhimi i bashkësisë ndërkombë­tare në këtë luftë ishte shumë i dobishëm për ta përcaktuar fitoren. Bile, ne jemi të nderuar dhe jemi fatlumë, sepse nevoja për sakrificë ka mundur të zgjasë me vite të tëra apo edhe në pafundësi”.[42]

[1] M. Pirraku, Vetëvendosja e Kosovës në dritën e Lëvizjes Antifashiste, Gjurmime albanologjike, Seria e Shkencave Historike, 21-1991, Prishtinë, 1993, f. 38.

[2] Halil Matoshi, Kuvendi i Kosovës 1945-1999 (2), Zëri, 3 nëntor 2001, f. 9.

[3] Ana Lalaj, Aspiratat e popullit shqiptar të Kosovës, në Çështja e Kosovës – një pro­blem historik dhe aktual, Tiranë, 1996, f. 279.

[4] Po aty.

[5] G. Zajmi, Çështja e Kosovës në kuadër të çështjes shqiptare si sfidë e madhe dhe madhore e kohës dhe ndaj kohës (Republika e Kosovës dhe programi kombëtar), në Çështja e Kosovës – një problem historik dhe aktual, Tiranë, 1996, f. 245.

[6] Blerim Shala, Sali Berisha dhe Kosova, Zëri, 5 nëntor 2001, f. 9; Miranda Vickers, Roli i Kosovës në marrë­dhëniet shqiptaro-jugosllave pas Luftës së Dytë Botërore, në Çështja e Kosovës – një problem historik dhe aktual, Tiranë, 1996, f. 252

[7] S. Kelmendi, Qëndrimi i shteteve të Evropës ndaj Republikës së Kosovës dhe çështjes shqiptare në ish-Jugosllavi, në Çështja e Kosovës – një problem historik dhe aktual, Tiranë, 1996, f. 429.

[8] Iljaz Ramajli, Si u shpall Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Zëri, 3 nëntor 2001, f. 9.

[9] Po aty.

[10] E. Biberaj, Kosova: Ballkani fuqi baroti, në Çështja e Kosovës – një problem historik dhe aktual, Tiranë, 1996, f. 301.

[11] Edhe në legjislacionin ndërkombëtar të derisotëm, dokumenti që shpreh relativisht qartë se kush mund ta ushtrojë të drejtën e vetëvendosjes, është Konventa për të Drejtat Civile e Politike e vitit 1966 (botuar më 1966). Artikulli i saj deklaron: Të gjithë popujt kanë të drejtë të vetëvendosin. Në bazë të kësaj të drejte ata mund: Lirisht të vendosin statusin e politik dhe ta ndjekin zhvillimin e tyre ekonomik, social e kulturor. Shih: International Con­venant on Civil and Political Right, art, 1, 1976.

[12] G. Zajmi, Çështja e Kosovës në kuadër të çështjes shqiptare si sfidë e madhe dhe madhore e kohës dhe ndaj kohës (Republika e Kosovës dhe programi kombëtar), punim i cit., f. 245.

[13] K. Prifti, Konsiderata etnike dhe historike rreth çështjes së bashkimit kombëtar të shqiptarëve, në Çështja e Kosovës – një problem historik dhe aktual, Tiranë, 1996, f. 238.

[14] Po aty: Zgjedhjet e dyta parlamentare dhe presidenciale të Kosovës janë mbajtur më 22 mars 1998, në 26 njësi zgjedhore, që përfshijnë 92 zona zgjedhore, ndërsa zgjedh­jet nuk janë mbajtur në 3 njësi zgjedhore (Ske­nderaj, Drenas /Gllogoc/ dhe Klinë), që përfshijnë 8 zona zgjedhore, pra nga ku duhej të zgjidheshin 8 deputetë. Zgjedhjet janë mbajtur sipas sistemit të kombinuar, pra 92 deputetë janë zgjedhur në votime të drejt­përdrejta, ndërsa 26 deputetë janë zgjedhur sipas sistemit propo­rcional, nga subjektet elektorale që kanë fituar 3 për qind të votave të përgjithshme, duke përjashtuar LDK-në që ka fituar mbi 50 për qind të votave të përgjithshme. Në Kosovë ishin evidencuar 867 704 zgjedhës, pa shqiptarët në botën e jashtme, të cilët nuk janë thirrur në votime. Nga ky numër në votime kanë dalë 736 566 votues ose 85.18 për qind. Ndërsa kandidati i vetëm për president të shtetit, dr. Ibrahim Rugova, i kandiduar nga LDK-ja, fitoi 99.2 për qind të votave. Kuvendi i Kosovës, i dalë nga këto zgjedhje, u mblodh vetëm dy herë: Në sesionin konstituiv, në korrik të vitit 1998 dhe në atë të shpër­bërjes, në janar të vitit 2000. Halil Matoshi, Kuvendi i Kosovës 1945-1999 (2), punim i cit., f. 9.

[15] S. Kelmendi, Qëndrimi i shteteve të Evropës ndaj Republikës së Kosovës dhe çështjes shqiptare në ish-Jugosllavi, punim i cit., f. 429.

[16] Halil Matoshi, Kuvendi i Kosovës 1945-1999 (2), punim i cit., f. 9.

[17] Po aty.

[18] Elez Biberaj, Kosova: Ballkani fuqi baroti, punim i cit., f. 299.

[19] Kjo njihet edhe si Doktrina e Klintonit: Nxjerrë nga: Fjalimi i Përurimit të Presidentit Klinton, The New York Times, 21 janar 1993, f. A. 25 shih: S. Repishti, Koncepti i vetëvendosjes dhe aktualiteti kosovar, në Çështja e Kosovës – një problem historik dhe aktual, Tiranë, 1996, f. 341.

[20] Po aty f. 341.

[21] Po aty.

[22] Bardh Hamzaj, Rrëfimi për luftën dhe lirinë: dialog me komandantin Ramush Haradinaj, Zëri, Prishtinë, 1999, f. 96.

[23] Kosova në vështrim enciklopedik, Tiranë, 1999, f. 148.

[24] Kosova në vështrim enciklopedik, vep. e cit., f. 149.

[25] Po aty f. 149-150.

[26] Po aty, f. 150.

[27] Bardh Hamzaj, Rrëfimi për luftën dhe lirinë: dialog me komandantin Ramush Haradinaj, vep. e cit., f. 137.

[28] Në shtator të vitit 1998 bashkësia ndërkombëtare reagoi më ashpër ndaj krimeve të forcave serbe në Kosovë dhe sidomos shqetësohej për katastrofën humanitare, e cila, me ardhjen e të ftohtit, kërcënonte të merrte përmasa të papara. Kështu, u bë ma­rrë­veshja Hollbruk-Millosheviq, në bazë të së cilës në Kosovë do të vinin 2000 verifikues të paarmatosur të OSBE-së. Kjo marrëveshje, thekson R. Haradinaj, ishte një shpëtim për UÇK-në. Kjo marrëveshje ka qenë e një rëndësie vendimtare dhe ka ndihmuar ringjalljen e ushtrisë. Po ashtu, vazhdon R. Haradinaj, bashkësia ndërkombëtare për­mes tyre njihej me të vërtetën e Kosovës për së afërmi, e jo përmes gazetarëve, apo përmes misioneve që vinin nga një javë e të cilëve Serbia ua fshihte të vërtetën, duke maskuar kështu barbaritë e veta. Kjo ishte njëherësh edhe parapërgatitje e fushatës aj­rore të NATO-s që do të pasonte më vonë. Shih në: B. Hamzaj, Ramush Haradinaj, vep. e cit., f. 107-108.

[29] Reagimi i amerikanit Villiam Voker, se kjo çka ka ndodhur në Reçak është krim, rre­thanat ndërkombëtare u rënduan aq shumë, sa nxitën lëvizjen vendimtare të me­ka­ni­z­mave vendosës në drejtim të zgjidhjes së drejtë të çështjes së Kosovës. Prandaj, është edhe e arsyeshme e gjithë ajo simpati e popullit shqiptar ndaj ShBA-së. Shih në: Bardh Hamzaj, Ramush Haradinaj, vep. e cit., f. 138.

[30] Po aty f. 140.

[31] Kosova në vështrim enciklopedik, vep. e cit., f. 145.

[32] Bardh Hamzaj, Rrëfimi për luftën dhe lirinë: dialog me komandantin Ramush Haradinaj, vep. e cit., f. 142-143.

[33] B. Shala, Dëshmi se Kosova e ka merituar lirinë, shih: Bardh Hamzaj, Ramush Haradinaj, vep. e cit., f. 179.

[34] Kosova në vështrim enciklopedik, vep. e cit., f. 151-152.

[35] Bardh Hamzaj, Rrëfimi për luftën dhe lirinë: dialog me komandantin Ramush Haradinaj, vep. e cit., f. 147.

[36] Po aty f. 148.

[37] Kosova në vështrim enciklopedik, vep. e cit., f. 152.

[38] Po aty.

[39] Po aty.

[40] Po aty f. 152-153.

[41] Jamie Shea, Kriza e Kosovës dhe mediat (8), Koha ditore, Prishtinë, 17 nëntor 1999, f. 5.

[42] Bardh Hamzaj, Rrëfimi për luftën dhe lirinë: dialog me komandantin Ramush Haradinaj, vep. e cit., f. 142.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xhiroja e 13-të në Prince Caffe Superligën e Kosovës në…